E premte, 6 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Minçev: Komisioni Evropian vëren përparimin, po ndërtojmë administratë ku njohuria shndërrohet në rezultate

„Qytetarët nuk i vlerësojnë institucionet sipas planeve dhe premtimeve tona. I vlerësojnë sipas shërbimit që marrin, përgjigjes që presin dhe besimit që kanë në sistem. Qëllimi ynë është që njohuria të bëhet fuqia e administratës, profesionalizmi standardi i saj, dhe besimi i qytetarëve rezultati më i madh i saj“, theksoi ministri i administratës publike, Goran Minçev, në fjalimin e tij në ciklin e tretë të trajnimeve gjenerike për zyrtarët administrativë për vitin 2026, i cili u mbajt në Kumanovë për zyrtarët nga rajoni Verilindor.

Minçev theksoi se reforma e administratës publike tashmë po merr bazë konkrete institucionale dhe ligjore, ndërsa përparimi është njohur edhe në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2026. Në të janë evidentuar hapat e ndërmarra për forcimin e kapaciteteve të Ministrisë së Administratës Publike, përmirësimin e sistemit të menaxhimit të burimeve njerëzore, si dhe krijimin e një kuadri më të fortë për funksionimin profesional dhe përgjegjës të administratës.
"Vlerësimet e Komisionit Evropian janë një tregues i rëndësishëm se jemi në rrugën e reformave që duhet ta vazhdojmë me një dinamikë edhe më të fortë. Por, për ne më e rëndësishmja është që reformat të mos mbeten vetëm zgjidhje ligjore dhe ndryshime institucionale. Ato duhet të ndjehen në punën e përditshme të institucioneve dhe në shërbimet që marrin qytetarët" theksoi Minçev.

Duke u ndalur te faza tjetër e profesionalizimit të administratës, Minçev theksoi edhe krijimin e Akademisë për përmirësim profesional dhe trajnimin e zyrtarëve administrativë, si një nga shtyllat kyçe të reformës.
"Nuk po ndërtojmë Akademinë për të pasur një institucion tjetër në sistem. Po e ndërtojmë për të krijuar një mekanizëm që do të sigurojë mësim të vazhdueshëm, programe cilësore, standarde të unifikuara dhe mundësi reale për zhvillim profesional. Duam që njohuria të mos mbarojë me trajnimin, por të aplikohet në punë dhe të sjellë rezultate më të mira" theksoi Minçev.

Si pjesë e procesit të reformës, ministri përmendi edhe zgjidhjet e reja ligjore për drejtuesit e lartë, zyrtarët administrativë dhe punonjësit në sektorin publik, me të cilat vendosen kritere më të qarta profesionale, vlerësim bazuar në rezultate dhe përgjegjësi më të madhe në punë.

„Ministria e Administratës Publike vazhdon të ndërtojë një sistem ku njohuria vlerësohet, profesionalizmi inkurajohet, dhe përgjegjësia është standard për të gjithë. Qëllimi përfundimtar është krijimi i një administrate të fortë, kompetente dhe efikase, që do t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve dhe do të justifikojë besimin e tyre përmes shërbimit cilësor dhe rezultateve konkrete“.

Lajme të ngjashme