E premte, 6 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Zelenski: Duhet të dimë kush do të reagojë nëse Rusia sulmon përsëri

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, deklaroi se qeveria e tij kërkon nga aleatët perëndimorë garanci konkrete për mënyrën se si do të funksionojë mbështetja e sigurisë pas përfundimit të luftës, e cila filloi me pushtimin rus në shkurt 2022.

Në një intervistë për televizionin privat ukrainas "1+1", e transmetuar vonë mbrëmë, Zelenski theksoi se është e nevojshme që garancitë e ardhshme të sigurisë të jenë të qarta dhe të konfirmuara me një dokument me shkrim.

"Është e rëndësishme që kjo të jetë e qartë në letër", tha presidenti ukrainas.

Ai theksoi se Kievi pret përgjigje të sakta për mënyrën se si do të reagojnë aleatët perëndimorë në rast të një sulmi të ri rus pas një marrëveshjeje paqeje eventuale.

"Nuk bëhet fjalë për dhjetëra pika, por thjesht për të kuptuar rezultatin: nëse Rusia fillon përsëri të sulmojë, çfarë do të ndodhë? Kush do të bëjë çfarë, me çfarë mjete dhe kur? Këto përgjigje duhet të jenë të qarta, mbi të gjitha për ne ukrainasit", tha Zelenski.

Duke folur për mbështetjen amerikane për Ukrainën, Zelenski vlerësoi se është e rëndësishme të ruhet mbështetja si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sidoqoftë, ai pranoi se fitorja bindëse e Partisë Demokratike në zgjedhjet kongresuale, që mbahen në mes të mandatit presidencial, mund të ketë një efekt pozitiv mbi sasinë e ndihmës amerikane për Kievin.

"Besoj se shanset tona për të marrë ndihmë shtesë nga SHBA tani mund të rriten", tha presidenti ukrainas.

Lajme të ngjashme