E premte, 6 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

DS për raportin e KE-së: Nuk mund të ketë funksionarë të paprekshëm, individë të privilegjuar apo institucione mbi ligjin

Bashkimi Demokratik përshëndet Raportin e Komisionit Evropian për përparimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2026, veçanërisht, siç theksojnë nga kjo parti, vlerësimet pozitive dhe përparimin e konstatuar në zbatimin e agjendës reformuese dhe harmonizimin me legjislacionin evropian.

Ata vlerësojnë se raporti përbën një bazë të rëndësishme dhe një nxitje shtesë për vazhdimin dhe thellimin e procesit reformues evropian.

"Njëkohësisht, ai tregon se sundimi i ligjit, pavarësia dhe efikasiteti i drejtësisë dhe lufta kundër korrupsionit mbeten fusha ku janë të nevojshme ndryshime thelbësore të mëtejshme.

Bashkimi Demokratik konsideron se vlerësimet pozitive në Raport duhet të përbëjnë një nxitje shtesë për vazhdimin e proceseve reformuese. Përveç harmonizimit të legjislacionit kombëtar me atë evropian, është me rëndësi të veçantë zbatimi i qëndrueshëm i ligjeve, forcimi i kapaciteteve institucionale dhe arritja e rezultateve konkrete dhe të dukshme në funksionimin e shtetit ligjor".

Në këtë drejtim, Bashkimi Demokratik propozon një reformë të thellë të sistemit gjyqësor, me krijimin e një drejtësie të pavarur, profesionale, efikase dhe të përgjegjshme, të liruar nga ndikimet politike dhe biznesore.

Siç theksojnë, është e nevojshme rishikimi i modelit ekzistues të zgjedhjes dhe mandatit të gjyqtarëve, duke përfshirë edhe futjen e një mandati të kufizuar prej shtatë vjetësh, me garanci kushtetuese dhe ligjore për pavarësinë dhe profesionalizmin në ushtrimin e funksionit gjyqësor.

"2. Miratimi i një ligji të veçantë për luftën kundër formave të rënda të krimit dhe korrupsionit të lartë, me kompetenca të qarta të përcaktuara, kapacitete të specializuara hetimore dhe prokuroriale, mekanizma efikasë për hetime financiare dhe konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Ligji duhet të sigurojë ndjekje efikase të krimit të organizuar, korrupsionit në nivele të larta dhe keqpërdorimeve të funksioneve publike, pa selektivitet dhe kalkulime politike.

3. Riformulim kushtetues i përgjegjësisë së gjyqtarëve, me rikthimin e dispozitës kushtetuese për përgjegjësi penale të gjyqtarëve për vendime gjyqësore në raste të keqpërdorimit të vetëdijshëm të funksionit gjyqësor, korrupsionit ose veprimit me qëllim në kundërshtim me ligjin. Qëllimi është të sigurohet përgjegjësi personale dhe profesionale, me ndarje të qartë midis keqpërdorimit penal të funksionit dhe vendimmarrjes dhe interpretimit të pavarur gjyqësor të ligjit.

4. Rikthimi i besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor, përmes procedurave transparente për zgjedhjen dhe shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, kritere objektive për vlerësimin e punës së tyre, përgjegjësi për vonesa të pabazuara në procedura dhe zbatim të qëndrueshëm të ligjeve".

Sipas Bashkimit Demokratik, lufta kundër korrupsionit duhet të jetë sistematike dhe e qëndrueshme, me theks të veçantë në nivelet më të larta të pushtetit dhe institucioneve.

"Nuk mund të ketë funksionarë të paprekshëm, individë të privilegjuar apo institucione që janë mbi ligjin".

Presin që Qeveria dhe Kuvendi të përdorin raportin e Komisionit Evropian si bazë për përshpejtimin e mëtejshëm të reformave, me afate të qarta, detyrime konkrete dhe rezultate të matshme.

Perspektiva evropiane e Maqedonisë, theksojnë nga BD, duhet të jetë një qëllim i përbashkët shtetëror, dhe realizimi i saj varet nga aftësia jonë për të ndërtuar një shtet ligjor, institucione funksionale dhe një shoqëri ku drejtësia do të vlejë në mënyrë të barabartë për të gjithë.

Lajme të ngjashme