Serafimovski: Investojmë 25 milionë euro në „Straishtë“ për ujitje moderne në 1.500 hektarë në rajonin e Valandovës

Faza e tretë e sistemit të ujitjes „Straishtë“, me vlerë 25 milionë euro, do të përfshijë 1.500 hektarë tokë bujqësore dhe do t'i plotësojë nevojat e rreth 6.000 fermerëve, theksoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujësjellësit, Borçe Serafimovski në ngjarjen e sotme me të cilën u shënua fillimi i realizimit të investimit në vendbanimin Pirava, komuna e Valandovës.
"Kjo infrastrukturë do të mundësojë përdorimin e ujitjes pikë pas pike, dozimin më të saktë dhe përdorimin më ekonomik të ujit. Për prodhuesit kjo do të thotë kontroll më të madh mbi kultivimin e kulturave dhe kushte për prodhim më të qëndrueshëm dhe më cilësor, veçanërisht në periudhat e thatësirës gjatë vitit", tha ministri Serafimovski.
Ai informoi se projekti parashikon ndërtimin e 70 kilometrave rrjet tubacioni me presion, vendosjen e rreth 500 hidranteve dhe ndërtimin e një stacioni të ri pompues.
"Në kuadër të projektit parashihen mbështetje këshilluese dhe trajnime praktike. Fermerët do të marrin rekomandime profesionale për përdorimin efikas të sistemit dhe përshtatjen e ujitjes sipas karakteristikave dhe lagështisë së tokës, kushteve klimatike dhe nevojave të kulturës. Në këtë mënyrë, investimi në infrastrukturë do të mbështetet edhe me njohuri që do t'u ndihmojnë fermerëve të përdorin më mirë mundësitë e saj", theksoi ministri Serafimovski.
Ai theksoi se Qeveria me këtë projekt mbështet investimet afatgjata në fermat bujqësore, dhe prodhimi më i qëndrueshëm do të hapë hapësirë për fitime më të mira për fermerët dhe për zhvillimin e përpunimit, magazinimit dhe tregtisë, me përfitime më të gjera ekonomike për tërë rajonin e Valandovës.
Sistemi i ujitjes „Straishtë“ lidhet me dy fazat e para të projektit „Lugina e Vardarit“ dhe përfaqëson vazhdimësi të partneritetit me bankën gjermane të zhvillimit KfW. Në ngjarje morën pjesë edhe kryeministri, prof. dr. Kristian Mickoski dhe kryetari i Komunës së Valandovës, Gjoko Kamçev.



