Toshkovski: Maqedonia tashmë merr një pjesë të rëndësishme të përgjegjësisë për sigurinë evropiane, kontributi ynë duhet të njihet siç duhet

Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski mori pjesë në Forumit Ministror BE – Ballkani Perëndimor për drejtësi dhe punë të brendshme, i cili u mbajt më 5 dhe 6 nëntor në Budva, Mali i Zi, në prani të ministrave nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të institucioneve dhe agjencive evropiane.
Në kuadër të forumit, ministri Toshkovski mbajti dy fjalime të dedikuara për menaxhimin e migracionit dhe sigurinë kufitare, si dhe për luftën kundër formave moderne të krimit në epokën digjitale.
Duke folur për sfidat migratore, Toshkovski theksoi rolin strategjik të Maqedonisë në rrugën migratore ballkanike dhe kontributin konkret të policisë maqedonase në mbrojtjen e sigurisë evropiane.
"Maqedonia nuk pret të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian për të vepruar me përgjegjësi ndaj sigurisë evropiane. Ne këtë përgjegjësi e marrim tashmë. E marrim atë përmes policisë sonë kufitare, përmes operacioneve të përbashkëta me Frontex-in, përmes luftës kundër rrjeteve të kontrabandës dhe përmes përshtatjes konkrete me politikat evropiane", theksoi Toshkovski.
Ai vuri në dukje se në dhjetë muajt e parë të vitit 2026 është regjistruar një rritje prej 29 për qind të tentativave për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror krahasuar me vitin paraprak, ndërsa në të njëjtën periudhë janë zbuluar 23 raste të kontrabandës së gjithsej 144 migrantëve, me masa të ndërmarra për ndjekje penale kundër 38 autorëve.
Vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit me Frontex-in, operacioni i përbashkët me policinë maqedonase, i nisur në kufirin jugor në vitin 2023, në gusht të këtij viti u zgjerua edhe në kufirin verior, ndërsa janë në fazën përfundimtare përgatitjet për zgjerimin edhe në kufirin perëndimor.
"Bashkëpunimi i suksesshëm me Frontex-in tregon se Maqedonia ka kapacitet dhe vullnet politik për të marrë përgjegjësi. Por, njëkohësisht tregon edhe se investimi në kapacitetet tona kufitare është investim i drejtpërdrejtë në sigurinë e përbashkët evropiane", theksoi ministri, duke nënvizuar nevojën për mbështetje të mëtejshme teknike, kadrovike dhe financiare nga Bashkimi Evropian.
Në fjalimin e tij, Toshkovski u ndal edhe te përparimi në përshtatjen me politikat evropiane për migracionin dhe azilin, veçanërisht në pjesën e politikës së vizave, ku Maqedonia ka arritur një përshtatje pothuajse të plotë me listën evropiane të vendeve të qytetarëve të të cilave u nënshtrohen regjimit të vizave.
Në fjalimin e dytë, të dedikuar krimit në epokën digjitale, ministri paralajmëroi për sfidat në rritje lidhur me kibernetikën kriminale, mashtrimet online, keqpërdorimin e kriptomonedhave dhe inteligjencën artificiale për qëllime kriminale.
"Krimi tashmë funksionon pa kufij. Përgjigjja jonë duhet të jetë po aq e lidhur, e shpejtë dhe efektive", tha Toshkovski.
Ai theksoi edhe krijimin e Njësisë së re të specializuar për hetime të keqpërdorimeve të fëmijëve në internet dhe hetimeve nga burime të hapura brenda MPB-së, me kompetencë në nivel kombëtar, si një hap i rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi seksual në hapësirën digjitale.
Ministri bëri thirrje për integrim më të fortë operacional të vendeve të Ballkanit Perëndimor në mekanizmat evropianë për luftën kundër krimit, shkëmbim më të shpejtë të informacionit dhe provave elektronike, si dhe investime më të mëdha në forenzikën digjitale, mjetet analitike të avancuara dhe përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale në punën policore.
"Suksesi ynë i përbashkët nuk duhet të matet vetëm me numrin e projekteve ose trajnimeve të realizuara, por me numrin e viktimave të mbrojtura, hetimeve të përbashkëta të suksesshme, rrjeteve kriminale të shkatërruara, provave elektronike të siguruara në kohë dhe mjeteve të fituara në mënyrë të paligjshme të konfiskuara", theksoi Toshkovski.
Në margjinat e forumit, ministri Toshkovski zhvilloi edhe një takim bilateral me Nina Gregorin, drejtoreshën ekzekutive të Agjencisë së Bashkimit Evropian për azil (EUAA).
Në takim u diskutua për bashkëpunimin deri tani midis Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencisë, mundësitë për thellimin e mëtejshëm të tij, si dhe për mbështetjen në procesin e përshtatjes së legjislacionit kombëtar dhe praktikave institucionale me standardet evropiane në fushën e azilit dhe mbrojtjes ndërkombëtare.
U vu theksi i veçantë në forcimin e kapaciteteve administrative dhe operative, shkëmbimin e ekspertizës dhe vazhdimin e aktiviteteve të përbashkëta të orientuara drejt krijimit të një sistemi më efikas dhe funksional për azil.
Pjesëmarrja e ministrit Toshkovski në forum në Budva ishte një mundësi për afirmimin e rezultateve konkrete të policisë maqedonase, për avancimin e bashkëpunimit me institucionet evropiane dhe për konfirmimin e rolit të Maqedonisë si partner aktiv në përballjen me sfidat e përbashkëta të sigurisë.



