Vuçiç, Brnabiç dhe Nikoliç mund të humbasin aksesin në vila luksoze shtetërore

Pas humbjes zgjedhore të Partisë Progresiste Serbe (SNS), ish-funksionarët e lartë serbë Aleksandar Vuçiç, Ana Brnabiç dhe Tomislav Nikoliç së shpejti mund të humbasin të drejtën për të përdorur vila luksoze shtetërore në lagjen Dedinje të Beogradit, raporton Nova.rs.
Burime nga qeveria serbe tregojnë se nga këta ish-funksionarë do të kërkohet të largohen nga objektet shtetërore sapo presidenti i ri dhe qeveria e re të marrin detyrën.
Për t'u rikujtuar, lista studentore "Studentët fitojnë" ("Studenti pobjeđuju") arriti fitore në zgjedhjet parlamentare në Serbi që u mbajtën të dielën, duke marrë 52.73 për qind të votave, ndërsa lista e Aleksandar Vuçiçit, "Serbia e Bashkuar" ("Ujedinjena Srbija"), mori 39.15 për qind.
Në një fjalim publik, Vuçiç pranoi humbjen dhe fajësoi mediat dhe "shtetin e thellë amerikan" për të.
Pas pranimit të humbjes, qytetarët e Serbisë dolën në rrugë për të festuar deri vonë në natë.
"Ata do të duhet të largohen në momentin që presidenti i ri dhe qeveria e re të marrin detyrën. Mund të qëndrojnë në vilat shtetërore edhe për një kohë, por vetëm nëse shërbimet e sigurisë vlerësojnë se siguria e tyre është e kërcënuar", deklaroi një burim.
Në një rast të tillë, ata mund të zhvendosen në një vend tjetër të sigurt, dhe do të kthehen në shtëpitë dhe apartamentet e tyre private pasi të kalojë rreziku.
Që nga nëntori i vitit 2020, ish-kryeministrja dhe aktualisht kryetarja e Kuvendit Popullor, Ana Brnabiç, jeton me partneren e saj, Milica Gjurgjiç, në të ashtuquajturën "Vila e Jovankës" në Bulevardin e princit Aleksandar Karađorđević, në lagjen Dedinje. Pronë që zë një sipërfaqe prej rreth 750 metra katrorë dhe dikur ka qenë rezidencë e Jovanka Broz.
Brnabiç u zhvendos në vilë ndërsa ushtronte detyrën e kryeministres dhe qëndroi aty edhe pasi mori rolin e kryetares së Kuvendit Popullor në mars 2024. Për ta mundësuar këtë, Qeveria e Serbisë në korrik 2024 ndryshoi një rregullore, duke hequr praktikisht statusin e vilës si rezidencë zyrtare e kryeministrit.
Ajo u përshtat në rezidencë zyrtare për kryetarin e Kuvendit Popullor. Para kësaj ndryshimi, rregulloret kërkonin që individët të largoheshin nga rezidencat shtetërore brenda gjashtë muajve pas përfundimit të mandatit të tyre.
Aleksandar Vuçiç përdor zyrtarisht "Vila Bokeljka", e vendosur në rrugën Tolstoj në Dedinje, që zë një sipërfaqe prej rreth 1,700 metra katrorë. Mediat serbe më parë raportuan se Vuçiç nuk jetonte aty vazhdimisht; në vend të kësaj, vila shërbente si vend për mbajtjen e takimeve shtetërore, pritjen e delegacioneve të huaja dhe aktivitete të tjera protokollare. Përdorimi i ardhshëm i kësaj prone do të varet edhe nga ndryshimet eventuale në kryesinë shtetërore.
Rasti i ish-presidentit serb Tomislav Nikoliç është veçanërisht interesant; ai dhe bashkëshortja e tij Dragica jetojnë në një vilë shtetërore në rrugën Užička nr. 23 që nga gushti i vitit 2012. Edhe pse mandati i tij presidencial përfundoi në vitin 2017, Nikoliç nuk është kthyer në shtëpinë e tij familjare në Bajçetinë. Në nëntor 2018, Qeveria e Serbisë ndryshoi përdorimin e vilës, duke ia dhënë për përdorim kryetarit të Këshillit Kombëtar për koordinimin e bashkëpunimit me Rusinë dhe Kinën – funksion që aktualisht e ushtron vetë Nikoliç. Kjo i mundësoi atij të vazhdojë të përdorë këtë pronë shtetërore.


