E hënë, 2 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Zelenski i vendosi ultimatumin Uashingtonit: Nuk ka ndalim të sulmeve pa “Patriot”

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski deklaroi se vendi i tij do të ndalë sulmet ndaj rafinerive ruse, siç kërkoi presidenti amerikan Donald Trump, nëse Uashingtoni i siguron Kievit raketa interceptuese “Patriot”.

I përballur me inflacionin, i cili në masë të madhe është pasojë e rritjes së çmimeve të energjisë për shkak të konfliktit në Iran, si dhe midis Rusisë dhe Ukrainës, Trump kërkoi që të dyja palët të ndalojnë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike.

Zelenski mbrëmë për “Fox News” deklaroi se kishte “disa biseda të ndryshme” me presidentin amerikan dhe ekipin e tij mbi këtë temë.

“Ne thamë: Nëse doni që ne të mos sulmojmë rafineritë ruse, atëherë ata (rusët) nuk duhet të sulmojnë sistemin tonë energjetik. Opsioni tjetër është: Na jepni raketat ‘Patriot’,” tha presidenti ukrainas.

Ai deklaroi se, nëse Uashingtoni siguron këto sisteme të mbrojtjes ajrore, të cilat shërbejnë për interceptimin e dronëve dhe raketave ruse, brenda një muaji, Kievi do të ndalë sulmet ndaj rafinerive ruse.

Kur u pyet nëse ka frikë se kjo mund të perceptohet si një përpjekje për “shtypje” ndaj miliarderit republikan, presidenti ukrainas u përgjigj negativisht.

“Nuk më shqetëson të them të vërtetën mes partnerëve,” tha Zelenski.

Departamenti i Shtetit të premten njoftoi se administrata e Trump kishte miratuar shitjen e 500 raketave “Patriot” për Ukrainën.

Sidoqoftë, presidenti ukrainas paralajmëroi se furnizimet mund të zgjasin vite, dhe autoritetet ushtarake në vendin e tij paralajmërojnë prej javësh për shterjen e rezervave.

Zelenski tha se aleatët e tij amerikanë dhe evropianë mund të furnizojnë Ukrainën me raketa nga rezervat e tyre, të cilat më pas mund të plotësohen përmes blerjeve të miratuara të premten, raportoi Beta.

Lajme të ngjashme