E mërkurë, 14 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Mickoski: Liria nuk është një histori e përfunduar, çdo brez duhet ta vazhdojë atë

11.10.2026, 11:50

Kryeministri Hristijan Mickoski, me rastin e 11 Tetorit – Ditës së kryengritjes popullore, theksoi se festa nuk duhet të jetë vetëm një ditë përkujtimore, por edhe një nxitje për një përgjegjësi të re në ruajtjen e lirisë.

"Para tetëdhjetë e pesë vjetësh, në një nga netët më të vështira të historisë sonë, kishte njerëz që nuk e dinin nëse do ta prisnin mëngjesin. Por, ata e dinin se atdheu duhet të presë një mëngjes më të mirë. Ata nuk kishin garanci se do të fitonin. Nuk kishin siguri se do të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Nuk kishin mundësi të dinin se si do të dukej bota që do të linin pas. Por, kishin diçka më të fortë se frika. Kishin besim se liria vlen më shumë se jeta e tyre", shkroi Mickoski në Facebook.

Ai theksoi se paraardhësit bënë atë që në kohën e tyre dukej e pamundur – hapën derën e lirisë, dhe brezat e sotëm kanë detyrë që ajo të mbetet e hapur.

"Detyra jonë është që ajo derë të mos mbyllet kurrë dhe përmes saj të kalojnë breza që do të jetojnë më mirë, më lirshëm dhe më dinjitetshëm", u shpreh kryeministri.

Në urimin e tij, Mickoski bëri thirrje që 11 Tetori të jetë një ditë përgjegjësie për ruajtjen e lirisë, duke theksuar se ajo nuk është një histori e përfunduar, por një veprim që çdo brez duhet ta vazhdojë.

"Gëzuar 11 Tetorin! Rroftë Maqedonia përgjithmonë!", shkroi Mickoski.

Lajme të ngjashme