E mërkurë, 14 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Ministria e Shëndetësisë: Po servisohen aparatet e Radiologjisë, pacientët trajtohen në institucione të tjera

08.10.2026, 16:07

Ministria e Shëndetësisë në koordinim me Institutin Universitar të Radiologjisë njofton se është në proces servisimi i aparateve për tomografi kompjuterike, të cilët janë në defekt dhe po bëhen përpjekje për vendosjen e tyre në funksion sa më shpejt.

Nga aty thonë se që nga fillimi i kësaj jave është bërë riorganizim për dërgimin e pacientëve, me qëllim marrjen në kohë të shërbimit të nevojshëm shëndetësor.

"Për sigurimin e vazhdimësisë së kujdesit shëndetësor, trajtimin e pandërprerë të pacientëve urgjentë dhe diagnostikimin në kohë me KT, deri në rivendosjen e funksionit të aparateve, pacientët trajtohen, dmth ekzaminimet bëhen në QKUK "8 Shtatori" dhe Klinikën Kirurgjike "Shën Naum Ohri" në Shkup", thonë nga Shëndetësia.

Shtohet se shëndeti dhe siguria e pacientëve janë prioritet. Prandaj, deri në rivendosjen e funksionit të aparateve, pacientët e dërguar për tomografi kompjuterike pranohen dhe ekzaminohen sipas dinamikës së mëposhtme:

QKUK "8 Shtatori", departamenti për radiologji diagnostike dhe intervencionale
nga ora 08:00 deri në 14:00
dhe nga ora 20:00 deri në 02:00

Klinika për sëmundje kirurgjike "Shën Naum Ohri" – Shkup

nga ora 14:00 deri në 20:00
dhe nga ora 02:00 deri në 08:00

"Organizimi është i përkohshëm dhe do të zbatohet vetëm derisa aparatet e Institutit Universitar të Radiologjisë të rikthehen në funksion. Ju lutemi pacientët dhe mjekët të respektojnë me përpikëri dinamikën e përcaktuar kohore.

Për çdo ndryshim të situatës, si dhe për rivendosjen e regjimit të rregullt të punës, të gjitha institucionet shëndetësore relevante, shërbimet dhe publiku do të informohen në kohë.

Ministria e Shëndetësisë po bën përpjekje maksimale për vendosjen sa më të shpejtë në funksion të kësaj pajisjeje, me përkushtim të plotë për sigurimin e vazhdueshëm të kujdesit shëndetësor cilësor, dhe gjithashtu po bëhen përpjekje për sigurimin e termineve edhe në institucione të tjera publike shëndetësore të përshtatshme.

Bëjmë apel që kjo temë të mos përdoret për qëllime politike ditore, veçanërisht pasi ky segment në sistem është riorganizuar tashmë dhe pacientët po marrin shërbimin e nevojshëm shëndetësor", shtohet në informacionin nga Ministria e Shëndetësisë.

Lajme të ngjashme

Lafçiski në dorëzimin e detyrës komandant i misionit „KFOR“ në Kosovë

Kryetari i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral-major Sashko Lafçiski, me ftesë të komandantit të Komandës së Përbashkët të forcave aleate të NATO-s në Napoli (JFCNP), admiral George M. Wikoff, sot mori pjesë në ceremoninë solemne për dorëzimin e detyrës komandant të misionit „KFOR“, e cila u mbajt në…

17:13