„Politika e jashtme e shtetit dhe përputhshmëria e plotë me PZBP përsëri vlerësuar më së larti nga BE-ja“, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme

„Komisioni Evropian në Raportin për vitin 2026 përsëri vlerëson më së larti politikën e jashtme, të sigurisë dhe mbrojtjes së shtetit tonë, duke konstatuar një nivel të mirë përgatitjeje dhe përparim të mirë në Kapitullin 31“, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
„Veçanërisht theksohet ruajtja e përputhshmërisë së plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian (PZBP), duke përfshirë edhe deklaratat e përfaqësuesit të lartë në emër të BE-së dhe vendimet e Këshillit për masat restriktive. Komisioni Evropian vlerëson se kjo përputhshmëri dërgon një sinjal të fortë për zgjedhjen strategjike për anëtarësim në Bashkimin dhe konfirmon shtetin tonë si një partner të besueshëm.
Niveli i mirë i përgatitjes është konstatuar edhe në Kapitullin 30 – „Marrëdhëniet e jashtme“, ku vihet re përputhja e ngushtë me politikën tregtare të BE-së dhe pjesëmarrja aktive në bashkëpunimin ekonomik rajonal.
Në kuptim praktik, përputhshmëria e plotë me PZBP nënkupton bashkimin me pozicionet zyrtare të Bashkimit Evropian për çështjet ndërkombëtare, si dhe përputhjen me vendimet e Këshillit të BE-së për masat restriktive.
Në Raport është konstatuar gjithashtu se rekomandimet nga viti i kaluar janë zbatuar në masë të madhe, ndërsa vendi ka vazhduar të marrë pjesë aktivisht në dialogun politik me Bashkimin Evropian për çështjet e jashtme dhe të sigurisë. Në prill 2026, në Bruksel u mbajt edhe sesioni i dytë i Dialogut për Sigurinë dhe Mbrojtjen ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut.
Është vënë në dukje pozitivisht edhe rritja e gatishmërisë mbrojtëse, si dhe mbështetja e konsiderueshme humanitare, mbrojtëse dhe e tjera për Ukrainën. Në korrik 2026 shteti ynë iu bashkua edhe „Koalicionit të të Gatshmëve“.
Komisioni Evropian njeh edhe angazhimin aktiv në organizatat multilaterale, përfshirë edhe në kuadër të Kombeve të Bashkuara, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së, si dhe përputhshmërinë e rregullt me shumicën e pozicioneve të Bashkimit Evropian në Kombet e Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, në Raport theksohet edhe zgjedhja e parë e shtetit tonë në Këshillin Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara për mandatet 2027–2029, si dhe anëtarësimi në Këshillin për të Drejtat e Njeriut për periudhën 2025–2027.
Vlerësimet e Komisionit Evropian përbëjnë edhe një konfirmim tjetër për orientimin e qartë të politikës së jashtme të shtetit, kredibilitetin e tij si partner i Bashkimit Evropian dhe përkushtimin e qëndrueshëm për anëtarësim të plotë në Bashkimin“, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.



