Siljanovska-Davkova në Bruksel: Perspektiva evropiane kërkon vullnet politik të ndërsjellë dhe hapa konkretë

Kryetarja Gordana Siljanovska-Davkova, në Parlamentin Evropian në Bruksel, zhvilloi një takim me eurodeputetët Dan Barna (Renew, Rumani), Tajs Rojten (S&D, Holandë), Matej Tonin (EPP, Slloveni) dhe Karlo Resler (EPP, Kroaci).
Temë e bisedës ishin gjendjet aktuale në procesin eurointegrues të Maqedonisë, sfidat me të cilat përballet politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian, si dhe mundësitë për tejkalimin e bllokadës së gjatë në negociatat e anëtarësimit.
Siljanovska-Davkova kujtoi statusin 21-vjeçar të kandidatit të shtetit dhe përkushtimin e tij të vazhdueshëm ndaj integrimit evropian, i mbështetur me reforma të rëndësishme.
Ajo veçanërisht theksoi përputhshmërinë e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian, si një konfirmim i përcaktimit të qartë gjeopolitik dhe mbështetjes së qëndrueshme të pozicioneve evropiane.
Sipas saj, vullneti politik për përparim nuk duhet të pritet vetëm nga vendet kandidate, por edhe nga vetë Bashkimi, nga i cili kërkohen zgjidhje kreative për tejkalimin e bllokadës së gjatë, pa vënë në pikëpyetje identitetin kombëtar dhe kulturor maqedonas.
Biseduesit ranë dakord se vendi i shtetit maqedonas është në Bashkimin Evropian, ku natyrshëm i takon, pavarësisht sfidave në rrugë.
Për disa nga eurodeputetët, përvoja e vendeve të tyre konfirmon se procesi i anëtarësimit mund të jetë i gjatë dhe i mbushur me kushte të vështira, dhe përparimi nuk njihet gjithmonë.
Kryetarja u falënderua për mirëkuptimin dhe shprehu bindjen se dialogu i vazhdueshëm dhe angazhimi i përbashkët mund të kontribuojnë në rinovimin e dinamikës së zgjerimit, si një investim strategjik në stabilitetin, sigurinë dhe unitetin e Evropës.



