E mërkurë, 4 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

OBSH: Gjashtë masa për mbrojtjen e klimës mund të shpëtojnë 1.6 milion jetë në vit

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara, ka bërë thirrje qeverive në mbarë botën të zbatojnë gjashtë masa për të reduktuar efektet e ndryshimeve klimatike mbi shëndetin e njerëzve. Sipas raportit të ri të publikuar sot, këto masa mund të parandalojnë rreth 1.6 milion vdekje në vit dhe të sjellin përfitime të mëdha ekonomike, shkruan Euronews.

Vlerësohet se rreth 3.6 miliardë njerëz jetojnë në zona veçanërisht të ekspozuara ndaj ndryshimeve klimatike dhe pasojave të tyre shëndetësore. OBSH thekson se zbatimi i masave të propozuara mund të parandalojë afërsisht një nga çdo 40 vdekje në mbarë botën. Në të njëjtën kohë, kjo do të sillte përfitime ekonomike me vlerë triliona dollarë.

"Kriza klimatike është një krizë shëndetësore, por një pjesë e madhe e dëmit që ajo shkakton mund të parandalohet me mjetet që tashmë i kemi", tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Ai theksoi se zbatimi më i gjerë i masave të provuara dhe të disponueshme mund të shpëtojë miliona jetë, dhe më së shumti do të përfitojnë vendet që kanë nevojë për ndihmë.

"Ndërsa qeveritë përgatiten për raundin tjetër të negociatave për klimën, kujdesi shëndetësor duhet të jetë në qendër të veprimeve kundër ndryshimeve klimatike", tha Tedros.

Sipas vlerësimeve të OBSH-së, pa masa shtesë, pasojat e ndryshimeve klimatike, si kequshqyerja, malarja, diarreja dhe problemet shëndetësore të lidhura me temperaturat e larta, mund të shkaktojnë rreth 250,000 vdekje të parakohshme në vit midis 2030 dhe 2050.

Derisa në vitin 2050, ndryshimet klimatike mund të ekspozojnë 500 milionë njerëz shtesë ndaj bartësve të sëmundjeve infektive që përhapen në varësi të kushteve klimatike, paralajmëron OBSH. Organizata Botërore e Shëndetësisë propozon gjashtë masa për të reduktuar rreziqet shëndetësore të lidhura me valët ekstreme të nxehtësisë, ndotjen e ajrit, sëmundjet infektive dhe ujin e pasigurt për pije.

Masa e parë është vendosja e një sistemi paralajmërimi të hershëm për temperatura shumë të larta. Një masë tjetër ka të bëjë me sigurimin e furnizimit të sigurt me ujë të pastër për pije, edhe gjatë ngjarjeve ekstreme klimatike.

Masa e tretë dhe e katërt përfshijnë përmirësimin e kushteve bazë sanitare dhe disponueshmërinë e kushteve higjienike dhe mundësinë për larjen e duarve.

Masa e pestë ka të bëjë me përdorimin e karburanteve dhe teknologjive më të pastra për gatim dhe ngrohje në familje. Kjo do të reduktonte ndotjen e ajrit në ambiente të mbyllura, si dhe emetimet e gazrave serrë.

Masa e gjashtë parashikon ndryshime në mënyrën e përcaktimit të çmimeve të karburanteve fosile për t’i reflektuar më mirë dëmet që përdorimi i tyre shkakton mbi shëndetin e njerëzve, klimën dhe mjedisin.

Lajme të ngjashme