E mërkurë, 4 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Sali në Bundestagun gjerman: Integrimi gradual duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët edhe para anëtarësimit në BE

Në kuadër të vizitës së punës në Berlin, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë dhe ministri për çështje evropiane, Bekim Sali, zhvilloi një takim me deputetin në Bundestagun gjerman, Peter Bayer, ku u diskutua për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, zhvillimet më të fundit në politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Fokusi i bisedimeve ishte integrimi gradual në tregun e vetëm evropian, si një mekanizëm që mundëson përfitime konkrete për qytetarët dhe kompanitë paralelisht me zbatimin e reformave dhe avancimin drejt anëtarësimit të plotë.

Ministri Sali theksoi rëndësinë e qasjes së re të Komisionit Evropian për përgatitjen e një Bashkimi Evropian më të gjerë, duke nënvizuar nevojën që procesi i zgjerimit të jetë më dinamik, më i parashikueshëm dhe i bazuar në meritë.

"Integrimi evropian nuk duhet të fillojë vetëm në ditën e anëtarësimit. Qytetarët dhe kompanitë tona duhet të ndiejnë përfitimet nga afrimi me Bashkimin Evropian që tani. Integrimi gradual është një mundësi për ta kthyer perspektivën evropiane në rezultate konkrete, ndërsa vazhdojmë me reformat e nevojshme për anëtarësim të plotë", theksoi Sali.

"Si shembull konkret u përmend përfshirja e Maqedonisë së Veriut në Zonën e Vetme të Pagesave në euro (SEPA), që mundësoi uljen e kostove për transaksionet ndërkufitare dhe kursime të vlerësuara mbi pesë milionë euro. U diskutua gjithashtu për përparimin në negociatat për roamingun me BE-në, përmirësimin e lidhshmërisë rajonale dhe lehtësimin e qarkullimit të mallrave. Vëmendje iu kushtua edhe sfidave me të cilat përballen transportuesit nga Maqedonia e Veriut në kontekstin e rregullave për qëndrimin në zonën Schengen, si dhe nevojës për shqyrtimin e zgjidhjeve praktike që do të ruajnë funksionimin e zinxhirëve të furnizimit dhe lidhjet ekonomike me tregun evropian", njoftuan nga kabineti i Salit.

Në takim u diskutua edhe për zbatimin e Agjendës së Reformave në kuadër të Planit për Rritje për Ballkanin Perëndimor, me theks në sundimin e ligjit, administratën publike, transformimin digjital dhe konkurrencën ekonomike.

Ministri Sali konfirmoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut ndaj reformave dhe një procesi të drejtë, të besueshëm dhe objektiv të anëtarësimit, duke theksuar rëndësinë e dialogut me Gjermaninë dhe rolin e saj në bashkëpunimin rajonal dhe procesin e zgjerimit të BE-së.

Lajme të ngjashme