E enjte, 29 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Sali nga Dublin: Trashëgimia e Marrëveshjes së Ohrit duhet të reflektohet në jetën e përditshme të qytetarëve

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për çështje evropiane, Bekim Sali, mbajti një fjalim në Institutin për Çështje Ndërkombëtare dhe Evropiane (IIEA) në Dublin, kushtuar 25-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit.

Ministri Sali theksoi rëndësinë historike të Marrëveshjes së Ohrit për përfundimin e konfliktit në vitin 2001 dhe vendosjen e themeleve për një shoqëri më gjithëpërfshirëse, e bazuar në dialog, barazi dhe respekt të ndërsjellë.

Ai nënvizoi se Marrëveshja e Ohrit nuk duhet parë vetëm si një dokument historik, por si një angazhim i përhershëm për ndërtimin e institucioneve që shërbejnë në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët.

"Trashëgimia e Marrëveshjes së Ohrit do të jetë më e fortë kur qytetaria e barabartë të bëhet përvojë e zakonshme në jetën e përditshme", ishte një nga mesazhet kryesore të ministrit.

Duke iu referuar përvojës së Irlandës me Marrëveshjen e të Premtes së Madhe të vitit 1998, ministri theksoi rëndësinë e kompromisit politik, pajtimit dhe dialogut të vazhdueshëm për paqe të qëndrueshme. Ai vuri në dukje se, pavarësisht dallimeve historike dhe kushtetuese, të dy marrëveshjet konfirmojnë nevojën për institucione të besueshme dhe përgjegjësi të përbashkët.

Ministri theksoi nevojën për zbatim efektiv të të drejtave, përfaqësim të drejtë të komuniteteve, administratë profesionale, decentralizim funksional dhe mundësi të barabarta për të rinjtë.

Vëmendje e veçantë iu kushtua perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut. Ministri theksoi se sundimi i ligjit, mbrojtja nga diskriminimi, institucionet përgjegjëse dhe respektimi i ndryshimeve janë njëkohësisht parime të Marrëveshjes së Ohrit dhe vlera themelore të integrimit evropian.

Ai theksoi se një proces i besueshëm i anëtarësimit në Bashkimin Evropian është i rëndësishëm për reformat, stabilitetin dhe besimin e qytetarëve në të ardhmen evropiane të vendit.
Ngjarja vazhdoi me një diskutim mbi trashëgiminë e Marrëveshjes së Ohrit, sfidat në zbatimin e saj dhe mësimet nga përvojat evropiane në ndërtimin e paqes.

Lajme të ngjashme