Bakiq: „Dua të jem ministër i policisë, u përgatita për atë punë“

Kandidati për deputet nga "Lista Studentore" Jovo Bakiq konfirmoi se dëshiron të jetë ministër i punëve të brendshme, por theksoi se kjo varet nga vendimi i bartësit të mandatit për formimin e qeverisë dhe deputetët.
"Kam dëshirë të madhe ta bëj këtë punë, por nëse do ta bëj varet nga shumë faktorë. Vetëm them se do të doja ta bëja këtë punë, se u përgatita për atë punë dhe se di çfarë do të bëja dhe si do ta bëja atë", tha Jovo Bakiq, duke shtuar se prioritet është "pastrimi" i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ai deklaroi se, nëse bëhet ministër i punëve të brendshme, së pari do të kryejë reformë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke përfshirë edhe kontrollin e pasurisë së të punësuarve dhe krahasimin e pasurisë së tyre me të ardhurat, si dhe përdorimin e gjetjeve nga kontrolli i brendshëm, transmetojnë mediat serbe.
Bakiq tha se policët për të cilët do të konfirmohet se "kanë ushtruar dhunë ndaj studentëve dhe qytetarëve duhet të mbajnë përgjegjësi, e jo vetëm të largohen nga shërbimi".
"Do ta marrim drejtimin e shtetit kur të verifikohen mandatet"
Bakiq deklaroi se Lista Studentore aktualisht nuk ka mekanizma institucionalë për ndikim në formimin e qeverisë së re, pasi Kuvendi Popullor ende nuk është konstituuar, ashtu si nuk është formuar as qeveria e re.
Ai vlerësoi se qeveria aktuale mund ta shtyjë këtë proces, duke theksuar se Lista Studentore do të mund të marrë përgjegjësinë për drejtimin e shtetit vetëm kur të verifikohen mandatet e saj parlamentare dhe kur të formohet qeveria e re, sipas shkrimeve.



