E enjte, 29 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Putin akuzoi ashpër Perëndimin: E shkatërruat Libinë

Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi drejtpërdrejt vendet perëndimore për "shkatërrimin e shtetësisë libiane" dhe tha se Rusia do të bëjë gjithçka për të kontribuar në zgjidhjen përfundimtare të konfliktit të brendshëm në Libi dhe zhvillimin e ekonomisë së saj.

"Çështja më e rëndësishme që prek Libinë dhe popullin libian është rikthimi i unitetit të vendit, integriteti i tij territorial, si dhe nevoja për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare", tha Putin në seancën plenare të samitit "Rusia-Afrika".

Duke komentuar fjalimin e presidentit të Këshillit Presidencial të Libisë, Muhamed al-Menfi, Putin vuri në dukje "diktatin që na imponuan vendet perëndimore".

"Mendoj se është e qartë për të gjithë se vendet perëndimore, fatkeqësisht, luajtën një rol negativ të rëndësishëm në shkatërrimin e shtetësisë libiane", theksoi presidenti rus.

"Nuk dua të komentoj për proceset politike të brendshme në Libi, të cilat gjithashtu ishin komplekse, por ndërhyrja e Perëndimit megjithatë luajti rolin e vet dhe çoi në shkatërrimin e shtetësisë libiane. Për mua, kjo është një fakt i qartë", tha Putin.

Ai theksoi se vetëm vetë libianët duhet të marrin vendimin përfundimtar për zgjidhjen e konfliktit dhe rikthimin e shtetësisë, transmeton Sputnik.

"Rusia do të bëjë gjithçka që të jetë kështu. Dhe ne sigurisht do të vazhdojmë kontaktet me ju për të gjitha çështjet kyçe, përfshirë ekonominë", tha Putin duke iu drejtuar Al-Menfit.

Lajme të ngjashme