Siljanovska-Davkova me Blanar: Sllovakia është kundër çdo standardi të dyfishtë në trajtimin e vendeve-kandidate për BE

Kryetarja Gordana Siljanovska-Davkova sot priti ministrin e punëve të jashtme dhe evropiane të Republikës së Sllovakisë, Juraj Blanar, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në vendin tonë.
Gjatë takimit u konfirmuan marrëdhëniet miqësore maqedono-sllovake.
Siljanovska-Davkova theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme sllovake për rrugën maqedonase drejt Bashkimit Evropian, duke nënvizuar se procesi i anëtarësimit duhet të jetë i besueshëm, i parashikueshëm dhe i bazuar në merita dhe përmbushjen e kritereve të Kopenhagenit.
Sipas saj, integrimi gradual dhe qasja në tregun unik evropian, fondet evropiane dhe programet e përbashkëta, çojnë drejt afërsimit me BE-në, por nuk mund të zëvendësojnë anëtarësimin e plotë.
Ajo shprehu gatishmërinë për dialog gjithëpërfshirës me Republikën e Bullgarisë, në frymën e parimeve dhe vlerave evropiane, të garantuara në dokumentet themeluese.
Ministri Blanar riafirmoi interesimin dhe përkushtimin sllovak për eurointegrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe tonën.
Ai mbështeti fuqishëm dialogun maqedono-bullgar si mënyrën e vetme për tejkalimin e problemeve.
Si shumë herë më parë, ministri theksoi se Sllovakia është kundër çdo standardi të dyfishtë në trajtimin e vendeve-kandidate për BE.
Biseduesit theksuan lidhjet e ngushta gjuhësore dhe kulturore midis dy vendeve, të themeluara në veprën e vëllezërve sllavë Kiril dhe Metodij.
Kryetarja shprehu falënderim të thellë për botimin e librit të parë mësimor për mësimin e gjuhës maqedonase për folësit sllovakë dhe hapjen e lektoratit të parë të gjuhës maqedonase në Fakultetin e Filozofisë në Nitra.



