E hënë, 26 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Ministri britanik i mbrojtjes: Kemi 1.000 ditë për t’u përgatitur për luftë

Ministri britanik i mbrojtjes, Wes Streeting, paralajmëroi se Mbretëria e Bashkuar duhet të jetë e përgatitur për luftë brenda 1.000 ditëve të ardhshme, për shkak të aktiviteteve të shtuar hibride ruse kundër NATO-s.

Në një tekst autorësie për britanikun "Telegraph", Streeting paralajmëroi se shtetet armike mund të jenë në gjendje të sulmojnë Mbretërinë e Bashkuar deri në vitin 2030, prandaj vendi, së bashku me aleatët, duhet të jetë i përgatitur për luftë dhe fitore.

"Prioriteti im kryesor është të siguroj që vendi të jetë i përgatitur të luftojë dhe të fitojë në luftë. Për të parandaluar më të keqen, duhet të përgatitemi. Kjo nënkupton mbi të gjitha forcimin e kapaciteteve tona, që armiqtë të mendojnë dy herë para se të na sulmojnë", tha Streeting.

Paralajmërimi i tij vjen disa ditë pasi qeveria britanike nisi fushatën "Jini të përgatitur", me të cilën i këshillon familjet të sigurojnë rezerva ushqimi të qëndrueshëm, ujë të shishezuar, batanije dhe radio.

Qëllimi është që qytetarët të mund të përballojnë të paktën tre ditë pa akses në dyqane ose pagesa elektronike, në rast sulmesh kibernetike, kushte ekstreme të motit ose ndërprerje të infrastrukturës kyçe.

Autoritetet britanike paralajmëruan së fundmi edhe se Rusia përdor anije peshkimi dhe ndërmjetës komercialë për spiunazh dhe potencialisht për të rrezikuar kabllot e rëndësishme nënujore. Qeveria njoftoi dënime më të rrepta me burg për sabotimin e kësaj infrastrukture.

Streeting theksoi se kërcënimet nuk janë të reja, por kapacitetet ushtarake të armiqve po ndryshojnë ndjeshëm.

"Deri në vitin 2030, fuqia e tyre ushtarake dhe ekonomia ushtarake mund t’i vendosin ata në pozicion për të sulmuar. Kjo na lë pak më shumë se 1.000 ditë për të përfunduar misionin tonë – së bashku me aleatët të jemi të përgatitur për luftë dhe fitore", paralajmëroi ministri.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë polemike politike rreth rritjes së buxhetit britanik të mbrojtjes.

Ish-ministri i mbrojtjes, dhe aktualisht ministër i financave, John Healey, dha dorëheqje në qershor për shkak të mosmarrëveshjeve me atëherë kryeministrin Keir Starmer lidhur me alokimin e tre përqind të PBB-së për mbrojtjen deri në vitin 2030.

Qeveria e kryeministrit Andy Burnham tani përballet me presion për të siguruar fonde më të mëdha për ushtrinë dhe për të përmbushur angazhimet ndaj NATO-s, përfshirë edhe objektivin për të alokuar 3.5 përqind të PBB-së për nevojat bazë të mbrojtjes deri në vitin 2035.

Streeting akuzoi konservatorët se kanë lënë ushtrinë më të vogël britanike që nga luftërat napoleonike dhe theksoi se qeveria aktuale po realizon rritjen më të madhe të vazhdueshme të buxhetit të mbrojtjes që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Patrick Sanders, paralajmëroi më parë se vendi ka më pak se pesë vjet për t’u përgatitur për një konflikt të mundshëm me Rusinë. Ai bëri thirrje për ndërtimin e strehimoreve, forcimin e mbrojtjes kundër ajrit dhe mbrojtje më të mirë të popullsisë civile.

Ndërkohë, konservatorët opozitarë kërkuan nga ministri i financave Healey një plan të qartë për rritjen e alokimeve për mbrojtjen, duke paralajmëruar se pa mbrojtje të fortë nuk ka as ekonomi të qëndrueshme.

Lajme të ngjashme