Bekim Sali në takim me eurokomisaren Marta Kos: Integrimi gradual duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për çështje evropiane, Bekim Sali, zhvilloi një takim bilateral me eurokomisaren për zgjerim, Marta Kos, në kuadër të vizitës së punës në Bruksel.
Fokusi i takimit ishte perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut, zhvillimet më të fundit në politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian, zbatimi i Agjendës së Reformave dhe mundësitë për integrim të shpejtë dhe gradual në politikat dhe programet evropiane.
Ministri Sali përshëndeti Komunikimin e Komisionit Evropian "Preparing for a Wider Union", duke theksuar rëndësinë e një procesi më të parashikueshëm të zgjerimit, të bazuar në merita dhe rezultate të matshme.
"Integrimi evropian nuk duhet të mbetet vetëm një perspektivë politike. Ai duhet të shndërrohet në mundësi reale për qytetarët tanë, ekonominë dhe bizneset. Reformat që po zbatojmë duhet gradualisht të na afrojnë me tregun, programet dhe politikat e Bashkimit Evropian", theksoi Sali.
Gjatë takimit u diskutua edhe për zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Agjendën e Reformave. Ministri konfirmoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut ndaj reformave në sundimin e ligjit, administratën publike, dixhitalizimin, energjetikën dhe konkurrencën ekonomike.
Vëmendje e veçantë iu kushtua përfitimeve konkrete nga integrimi gradual, duke përfshirë pjesëmarrjen në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), mundësinë për zgjerimin e modelit "Roam Like at Home" dhe bashkëpunimin në fushën e transformimit dixhital.
Ministri Sali theksoi gjithashtu rëndësinë e Kornizës së ardhshme shumëvjeçare financiare 2028–2034, e cila duhet të sigurojë mbështetje të qëndrueshme, të parashikueshme dhe të orientuar drejt rezultateve për vendet kandidate.
Gjatë vizitës, eurokomisarja Marta Kos dha një intervistë të veçantë për përfaqësues të mediave nga Maqedonia e Veriut, duke mundësuar komunikim të drejtpërdrejtë me publikun për procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendit.
Ministria për Çështje Evropiane mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të ngushtë me institucionet evropiane, me qëllim përshpejtimin e reformave dhe kthimin e procesit të integrimit në rezultate konkrete për qytetarët.



