E mërkurë, 21 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

(Video) Filadelfia e mundi kampionin, Oklahoma e shkatërroi San Antonion

21.10.2026, 09:03

Filadelfia dhe Oklahoma përmbyllën ditën e parë të sezonit të ri në NBA me fitore. Filadelfia e mundi kampionin aktual Nju Jorkun në "Madison Square Garden" me 106:110, ndërsa Oklahoma pa probleme të mëdha ia ktheu disfatën San Antonios për eliminimin në finalen e Perëndimit sezonin e kaluar (116:104).

Ndeshja në Nju Jork ishte e para për Lebron Xhejms dhe Xhejlën Braun në fanellën e Filadelfias, skuadër që pozicionohet si një nga konkurrentët kryesorë për titullin kampion me lojtarët e rinj.

Lojtari më efikas i Filadelfias ishte Tajris Maksi me 28 pikë. Brauni pati 19 pikë, tetë kërcime dhe gjashtë asistime në debutimin e tij me klubin, ndërsa Lebron Xhejms nisi sezonin e tij të 24-të, më shumë se çdo lojtar tjetër në ligë, me 14 pikë, nëntë kërcime dhe gjashtë asistime.

Anferni Simon dha një kontribut të rëndësishëm me tri tripikësha, ndërsa lojtari i ri Kentavius Kolduell-Poup me dy.

Për Nju Jorkun, Xhejlën Branson, MVP i finales së vitit të kaluar, shënoi 21 pikë, por me një gjuajtje të dobët nga fusha 6/19. Karl-Entoni Tauns përfundoi ndeshjen me 19 pikë dhe 12 kërcime.

San Antonio më 30 maj fitoi në Oklahoma në ndeshjen e shtatë të serisë finale të Perëndimit, por në hapjen e sezonit Spars ishin të pafuqishëm. Oklahoma e vendosi ndeshjen në pjesën e parë, në pushim Thunder kishin epërsi 65:44.

Më i merituari për fitoren ishte Shej Gildzis-Aleksandër me 32 pikë. Një kontribut të madh në fitore dha edhe Xhared Mekein, i cili shënoi 20 pikë me një gjuajtje të shkëlqyer për tri pikë – goditi gjashtë nga tetë tentime.

Në anën tjetër, Viktor Vembanjama pati një natë për t’u harruar. Qendra franceze shënoi vetëm 12 pikë, me një gjuajtje katastrofale nga fusha – goditi vetëm një nga 13 tentime.

Oklahoma Thunder do të jenë nikoqirë të Denverit në ndeshjen e tyre të ardhshme të enjten në mbrëmje, ndërsa San Antonio të premten do të përballet me Hjustonin në Austin.

Lajme të ngjashme