E mërkurë, 21 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Botuar romani „Stuhi“ nga Vele Smilevski

21.10.2026, 09:38

Në botimin e Shoqatës për art dhe kulturë „Dialog“ nga Shkupi, këto ditë doli nga shtypi romani „Stuhi“, me nënpërshkrimin „Vitet e Moskës“, nga Vele Smilevski.

Në bazë të „Stuhisë“ është koleksioni i dorëshkrimeve „Shënime për Jordan Veselovin“ nga Pavel Aleksandroviç Glazov, i zbuluar në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të, në muzeun e vogël privat të dedikuar për Dmitrij Fedorov, në lagjen Arbat në Moskë. Jordan Veselov është intelektual maqedonas nga Velesi, i cili në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të jeton dhe punon në Moskë. Përmes modelit të mbivendosjes së kohëve dhe ngjarjeve nga dy shekuj, autori na fut në fatin jetësor të Veselovit të ndërthurur me një galeri të tërë personazhesh nga ambienti artistik dhe bohem i Moskës.

Në recensën për romanin „Stuhi“, kritiku letrar dhe poeti Sande Stojçevski, ndër të tjera, shkruan: „Ja një roman i pasur, i ndërlikuar, i fortë. Vepër e ndërtuar në shumë nivele, e mbushur me paralajmërime dhe enigma, me ngjarje dhe me imazhe që fitojnë një dykuptimësi të pasur të supozimeve, bëhen vizione magjike, gjysmë realitet, gjysmë ëndërr. Gjithçka mbështetet në shtyllën kryesore, në atë emër-mbajtëse, stuhi, e cila shumëzohet gjatë veprimit, duke u bërë shenjë e tipareve themelore njerëzore, veprimeve dhe besimeve, dyshimeve në kuadrin shoqëror dhe marrëdhëniet, në përpjekjet ndërnjerëzore për afërsi, por edhe në natyrën e vetë personazheve. Fjalitë të ndërtuara në një ritëm të harmonizuar, si të gdhendura në mermer; gjuha e shumëfishtë, e përthyer me perla leksikore arkaike, në vendin dhe mënyrën e duhur. Imazhet – freska të vërteta, prekje shkëlqyese midis botës së kësaj bote dhe të shenjtës; ëndrrat e stuhishme, dramatike, gjysmë të tejdukshme, në radhën e ëndërrimtarëve të mëdhenj në veprat e klasikeve rusë“, thekson Stojçevski.

Akad. Ala Sheshken, profesoreshë në Universitetin „Lomonosov“ në Moskë, në vlerësimin e saj për romanin „Stuhi“, ndër të tjera, shkruan: „Romani i ri i Smilevskit është i veçantë për temën dhe për zgjidhjet stilistike-shprehëse dhe kompozicionale. Me këto karakteristika romani është një kapitull i ri në krijimtarinë e këtij shkrimtari dhe një inovacion në letërsinë bashkëkohore maqedonase. Smilevski nuk është autori i parë maqedonas që shkruan për rusët dhe Rusinë, por sigurisht është i pari që në veprën e tij merret me situatën në kulturën ruse të shekujve XIX dhe XX, duke zbuluar tema aktuale dhe interesante për lexuesin e sotëm. Në vitin akademik 1989 – 1990, Vele Smilevski realizoi një qëndrim studimor në Universitetin „Lomonosov“ në Moskë. Kanë kaluar disa dekada që atëherë dhe tani, kur kemi romanin „Stuhi“, me nënpërshkrimin „Vitet e Moskës“, na bëhet e qartë se përvojat dhe eksperiencat nga periudha e Moskës kanë një lloj ringjalljeje dhe realizohen në një vepër që do të jetë në fokusin e interesit të lexuesve dhe kritikës“, shkruan akad. Ala Sheshken.

Vele Smilevski (1949) është autor i 53 veprave në fushën e poezisë, romanit, kritikës, eseistikës dhe shkencës letrare.

Është fitues i çmimit shtetëror „11 Tetori“ për vepër jetësore në fushën e artit.

Lajme të ngjashme