Takim i guvernatorit Slaveski me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të FMN-së, Bo Li: Pavarësia dhe transparenca e bankës qendrore janë thelbësore për ruajtjen e stabilitetit në kushte pasigurie

Guvernatori i Bankës Popullore, dr. Trajko Slaveski, zhvilloi një takim me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bo Li, në kuadër të Takimeve Vjetore të FMN-së dhe Grupit të Bankës Botërore në Bangkok, Tajlandë. Në fokus të bisedimeve ishin gjendjet aktuale makroekonomike, sfidat nga mjedisi global dhe rëndësia e pavarësisë, transparencës dhe besueshmërisë së bankave qendrore për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik. Në takim mori pjesë edhe ministrja e financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Në kushte të pasigurisë së vazhdueshme gjeopolitike dhe paqëndrueshmërisë së tregjeve botërore, u theksua rëndësia e menaxhimit të kujdesshëm të politikave makroekonomike, veçanërisht për ekonomitë e vogla dhe të hapura që janë të ekspozuara ndaj tronditjeve të jashtme të çmimeve. Në këtë kontekst, u theksua se masat e duhura dhe në kohë të Bankës Popullore kontribuan në stabilizimin e inflacionit, ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit dhe forcimin e rezistencës së ekonomisë së brendshme. Megjithatë, pasiguritë lidhur me lëvizjet e çmimeve të energjisë dhe efektet e tyre të mundshme transmetuese në çmimet e brendshme kërkojnë ende monitorim të kujdesshëm dhe vendimmarrje të bazuar në të dhëna dhe analiza profesionale.
U vu theksi i veçantë në rëndësinë e pavarësisë së bankës qendrore dhe mandatit ligjor të qartë, si kushte paraprake për zbatimin konsekuent të politikës monetare dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Pavarësia, së bashku me transparencën, llogaridhënien dhe komunikimin e qartë me publikun, kontribuon në forcimin e besueshmërisë institucionale dhe besimit në bankën qendrore, si dhe në përforcimin më të mirë të pritshmërive inflacioniste. Këto kushte paraprake janë veçanërisht të rëndësishme për një ekonomi të vogël dhe të hapur me strategji për ruajtjen e një kursi të qëndrueshëm të këmbimit, ku besimi në institucionet monetare dhe financiare ka një rol të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit.
Në bisedime u theksua edhe përparimi deri tani në kuadrin institucional, transparenca dhe komunikimi i Bankës Popullore. Në këtë drejtim, e rëndësishme është edhe bashkëpunimi me FMN-në, përfshirë edhe zbatimin e Kodit të transparencës së bankave qendrore, i cili mundëson vlerësimin e praktikave të bankave qendrore dhe përcaktimin e mundësive për përmirësimin e tyre të mëtejshëm. Banka Popullore do të vazhdojë edhe në të ardhmen të forcojë kapacitetet e saj dhe të përmirësojë praktikat e transparencës dhe llogaridhënies, në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.
Në takim u konfirmua angazhimi i përbashkët për vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm midis Bankës Popullore dhe FMN-së, i cili përmes mbështetjes këshilluese, ndihmës teknike dhe forcimit të kapaciteteve institucionale kontribuon në përmirësimin e funksioneve të bankës qendrore dhe në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe financiar.



