E mërkurë, 28 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

BE-ja heq dorë nga „anëtarësimi shoqërues“ për Kanadanë

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë hequr dorë nga propozimi i Kanadasë për t’i ofruar statusin e "anëtarit shoqërues". Në vend të kësaj, në draftin më të fundit të deklaratës së përbashkët, përgatitur para samitit BE-Kanada, përmendet "bashkëpunim gjithnjë e më i afërt", sipas një dokumenti që ka parë "Politico".

Një grup vendesh, të udhëhequra nga Gjermania, Franca dhe Greqia, u kundërshtuan përfshirjen e termit "anëtarësim shoqërues" në deklaratën e përbashkët, e cila pritet të publikohet në Montreal. Këtë e konfirmuan burime diplomatike.

Ideja për anëtarësimin shoqërues u propozua fillimisht nga kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë fjalimit të saj për gjendjen e Unionit në shtator, një lëvizje që surprizoi disa nga shtetet anëtare.

Në versionin fillestar të draftit thuhej se BE-ja dhe Kanadaja do të "punojnë për të përcaktuar konceptin e anëtarësimit shoqërues deri në samitin e vitit 2027". Qëllimi ishte, "përmes bashkëpunimit edhe më të afërt, të reflektohen përpjekjet e përbashkëta për arritjen e qëllimeve si prosperiteti, siguria ekonomike dhe autonomia strategjike".

Versioni i ri i tekstit është ndryshe: "Ne do të krijojmë një lidhje edhe më të ngushtë midis Kanadasë dhe BE-së... dhe deri në samitin e vitit 2027 do të punojmë për të përcaktuar konceptin e bashkëpunimit më të afërt midis Kanadasë dhe BE-së, që megjithatë nuk nënkupton anëtarësim të plotë".

Në deklaratë, shprehja "edhe më e ngushtë" më vonë u zëvendësua me "gjithnjë e më e ngushtë". Dokumenti ende pret miratimin përfundimtar. Megjithë mosmarrëveshjet rreth emërtimit, Brukseli synon të ofrojë Kanadasë një partneritet të zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme.

Kryeministri kanadez, Mark Carney, deklaroi dje se terminologjia nuk është thelbësore.

"Lajmi i mirë është se emrat konkretë ose terminologjia nuk janë kyçe. E rëndësishme është se çfarë do të thotë kjo për jetën e përditshme të kanadezëve", tha ai.

Lajme të ngjashme