BE: Qytetarët e Serbisë i dhanë qeverisë së ardhshme një mandat të fuqishëm për ndryshime

Qytetarët e Serbisë dolën në vendvotime në një numër historik për të shprehur votën e tyre, votuesit i dhanë qeverisë së ardhshme një mandat të fuqishëm për ndryshime, dhe tani presim që kjo të zbatohet në praktikë, sipas deklaratës së përbashkët sot të përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian (BE) për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, dhe komisionares për zgjerim, Marta Kos.
Fakti që pjesëmarrësit kryesorë në zgjedhje pranuan shpejt rezultatet zgjedhore tregon përkushtimin e tyre ndaj zhvillimit të pandërprerë të procesit demokratik.
Konfirmimi zyrtar i rezultateve zgjedhore duhet të mundësojë një tranzicion të rregullt, si dhe formimin urgjent të parlamentit dhe qeverisë, me qëllim përballimin e sfidave kyçe me të cilat përballet Serbia.
Zgjedhjet e lira, të drejta dhe transparente, në përputhje me standardet ndërkombëtare, janë kusht i domosdoshëm për funksionimin e institucioneve demokratike dhe janë të nevojshme që Serbia të përmbushë kriteret për anëtarësim në BE, thuhet në komunikatë.
Në këtë kontekst, BE merr parasysh gjetjet dhe përfundimet paraprake të Misionit Ndërkombëtar për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (MNVZ), i cili përbëhet nga përfaqësues të Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), Parlamentit Evropian (PE), Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) dhe Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.
Në gjetjet e saj paraprake, Misioni Ndërkombëtar për Vëzhgimin e Zgjedhjeve deklaroi se përgatitjet për zgjedhjet ishin kryesisht të organizuara në mënyrë efikase, dhe të gjitha fazat e ditës së zgjedhjeve u vlerësuan pozitivisht në shumicën dërrmuese të vendvotimeve.
Misioni theksoi se mjedisi zgjedhor ishte dëmtuar nga: përparësitë e rrënjosura të partisë në pushtet (përfshirë keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe paragjykimin e shprehur mediatik në favor të partisë në pushtet), intimidimi dhe presioni ndaj votuesve, kandidatëve dhe shoqërisë civile, si dhe ndërprerja e aktiviteteve parazgjedhore.
Incidentet e raportuara të dhunës fizike kanë shkaktuar shqetësim serioz, transmetojnë mediat në rajon.
Përmirësimi thelbësor dhe reforma e kornizës zgjedhore – përmes një procesi gjithëpërfshirës ku janë përfshirë të gjithë aktorët relevantë, me qëllim zbatimin e sinqertë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Këshillit të Evropës – mbeten prioritet.
BE mbetet e gatshme për bashkëpunim të ngushtë me qeverinë e ardhshme të Serbisë në aspektet kyçe të procesit të anëtarësimit në BE, veçanërisht në fushat e kritereve demokratike, drejtësisë së pavarur dhe të drejtave themelore, përfshirë lirinë e mediave.
Duke parë përpara, ulja e polarizimit në shoqëri është thelbësore për forcimin e besimit mes qytetarëve dhe tejkalimin e ndarjeve. BE është e gatshme të mbështesë reformat dhe t’i kthejë ato në mundësi të reja për qytetarët e Serbisë, shtohet në deklaratën e përbashkët, e cila u transmetua nga Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm (SEVJ), transmeton “Beta”.



