Bullgaria nesër zgjedh presidentin: Jotova është favorite, por pritet raundi i dytë

Qytetarët e Bullgarisë nesër do të votojnë në zgjedhjet presidenciale, por fituesi më së shumti do të njihet vetëm pas raundit të dytë, në të cilin, sipas pritshmërive, do të përballen presidentja aktuale Iliana Jotova dhe ekonomisti Andrej Gjurov.
Jotova garon si kandidate e pavarur, por ka mbështetjen e partisë në pushtet "Bullgaria Progresive" të kryeministrit Rumen Radev, si dhe të Partisë Socialiste, ku ajo filloi karrierën politike.
Gjurov, ish-zëvendës guvernator i bankës qendrore dhe kryeministër i qeverisë tranzitore në muajt e parë të vitit 2026, mbështet opozitën reformiste pro-perëndimore.
Analistët presin që asnjë nga 27 kandidatët të mos fitojë në raundin e parë. Për këtë nevojiten dy kushte: pjesëmarrje më e madhe se 50 për qind nga 6.6 milionë votuesit e regjistruar dhe fitimi i shumicës së votave.
Duke qenë se pritet që pjesëmarrja të jetë nën 40 për qind, raundi i dytë më së shumti do të mbahet më 1 nëntor, transmeton Associated Press.
Jotova është favorite, Gjurov shpreson në raundin e dytë
Sipas sondazhit të agjencisë "Market Links", i kryer nga 13 deri më 19 tetor, Jotova ka mbështetje prej 47.3 për qind të votuesve, ndërsa Gjurov është në 30.6 për qind. Analistët vlerësojnë se shanset e tij do të rriten në raundin e dytë.
Jotova është 62 vjeçe, profesion gazetare dhe ish-deputete në Parlamentin Evropian. Nëse fiton, do të bëhet gruaja e parë presidente e Bullgarisë.
Ajo ka qenë nënpresidente e shtetit gjatë mandatit presidencial të Radev, nga 2017 deri në 2026, ndërsa detyrën e presidentes e mori në janar të këtij viti, kur Radev dha dorëheqje për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare më 19 prill.
Para atyre zgjedhjeve, Radev themeloi partinë "Bullgaria Progresive", e cila pozicionohet në qendrën e majtë, por kombinon edhe elemente të populizmit të majtë, nacionalizmit, socialdemokracisë, konservatorizmit dhe euroskepticizmit të moderuar. Partia fitoi bindshëm në zgjedhjet e prillit me 43 për qind të votave, pas së cilës Radev u bë kryeministër.
Fokusi i fushatës është lufta në Ukrainë dhe çmimet e energjisë
Fushata parazgjedhore ishte kryesisht e përqendruar në luftën ruse kundër Ukrainës dhe rrezikun e zgjerimit të konfliktit në Detin e Zi. Sulmet vdekjeprurëse me dronë ndaj anijeve tregtare në rajon shkaktuan shqetësim shtesë.
Kandidatët u përpoqën të përgjigjen edhe ndaj shqetësimit të qytetarëve për shkak të rritjes së shpejtë të çmimeve të energjisë dhe inflacionit të lartë. Shumë banorë të zonave rurale përballen me vështirësi për të mbuluar shpenzimet bazë të jetesës, raporton AP.
Bullgaria u bë anëtare e NATO-s në vitin 2004 dhe e Bashkimit Evropian në vitin 2007. Edhe pse midis partive parlamentare ekziston një konsensus i gjerë për kursin pro-perëndimor të vendit, lidhjet tradicionale historike dhe kulturore me Rusinë kontribuojnë në ndarje në shoqëri, veçanërisht pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Radev shpesh ka theksuar se do ta mbajë Bullgarinë në rrugën evropiane, por njëkohësisht ka mbështetur përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë dhe heqjen e sanksioneve që BE-ja i ka vendosur Moskës. Analistët presin që Jotova, nëse fiton, të vazhdojë politikën që ka ndjekur Radev.
Jotova mbështet negociatat për paqe në Ukrainë
Drejtori ekzekutiv i "Market Links", Dobromir Zhivkov, për Associated Press deklaroi se Jotova i përket një drejtimi politik që mbështet një pozicion më neutral të Bullgarisë.
"Ata mbështesin ndalimin e ndihmës për Ukrainën dhe ndalimin e dërgesave të armëve për atë vend. Shpesh mund të dëgjojmë retorikë dhe terminologji të marrë direkt nga propaganda e Kremlinit", tha Zhivkov.
Në një tubim të mbajtur këtë javë, Jotova deklaroi se qëndrimi ndaj luftës në Ukrainë është një nga pikat kyçe që e dallon nga kandidatët e tjerë. Ajo tha se mbështet paqen e arritur përmes negociatave, jo me forcë.
"A duam që Deti i Zi të bëhet një zonë e mbyllur ushtarake? Në asnjë mënyrë nuk do të pajtohemi me një vendim të tillë. Nuk do ta pranoj këtë nxitje luftënxitëse", deklaroi Jotova.



