E shtunë, 17 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Dënim me burgim të përjetshëm për pronaren e kopështit në Kinë pas helmimit të 247 fëmijëve me plumb

17.10.2026, 19:15

Gjashtë persona janë dënuar me burg në provincën kineze Gansu për helmimin e 247 fëmijëve para-shkollorë në qytetin Tianshui. Pronarja e kopështit është dënuar me burgim të përjetshëm, pasi u konstatua se në ushqim ishin shtuar qëllimisht substanca toksike.

Personi përgjegjës në kopësht, L. F., dhe drejtori ekzekutiv Zhu Jinlin urdhëruan shtimin e substancave toksike në ushqimin që u shërbehej fëmijëve dhe punonjësve, me qëllim që produktet të duken më tërheqëse për qëllime marketingu, transmeton agjencia kineze e lajmeve Xinhua.

Sipas vendimit të Gjykatës Popullore të Mesme në Lanzhou, L. F. është dënuar me burgim të përjetshëm, dhe është konfiskuar edhe pasuria e saj personale në vlerë prej rreth 500,000 juanë.

Zhu Jinlin është dënuar me 15 vjet burg dhe një gjobë prej 300,000 juanë. Katër kuzhinierë kanë marrë dënime me burg nga gjashtë deri në tetë vjet, si dhe gjoba, për shkak të ekzekutimit të urdhrave të mbikëqyrësve të tyre.

Sipas raportit të hetimit të autoriteteve provinciale, ëmbëlsira me substanca toksike u shërbyen fëmijëve dhe personelit një herë në muaj, duke filluar nga maji i vitit 2024.

Nga gjithsej 251 fëmijë të testuar, te 247 u konstatua nivel jashtëzakonisht i lartë i plumbit në gjak. Fëmijët më pas u dërguan për trajtim spitalor ose terapi ushqyese në kushte shtëpie.

Analizat klinike treguan se pas trajtimit niveli i plumbit në gjak u ul mesatarisht për 40.21 për qind, duke arritur të gjitha qëllimet terapeutike të parashikuara.

Në një raport të publikuar në korrik, autoritetet njoftuan se kishin hetuar 10 funksionarë lokalë, përfshirë drejtorin e komisionit shëndetësor, si dhe përfaqësues të autoriteteve të qytetit Tianshui.

Lajme të ngjashme