E mërkurë, 14 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Papa kundër dënimit me vdekje, SHBA-të njoftuan ekzekutimin drejtpërdrejt

10.10.2026, 22:30

Papa Lavi XIV sot vlerësoi se dënimi me vdekje është "i papranueshëm", me rastin e Ditës Botërore kundër dënimit me vdekje, ndërsa SHBA-të njoftuan transmetimin e drejtpërdrejtë të ekzekutimit të një ish-anëtari të ushtrisë amerikane, transmeton agjencia AP.

Në një postim në rrjetin social X, papa iu referua mësimit të Kishës Katolike, të ndryshuar nga paraardhësi i tij, Papa Françesku, sipas të cilit dënimi me vdekje cenon dinjitetin e lindur të njeriut.

"E mira e përgjithshme mund të mbrohet, dhe kërkesat e drejtësisë të përmbushen edhe pa përdorur dënimin me vdekje", tha papa, duke shtuar se sistemet moderne të burgjeve mundësojnë mbrojtjen e qytetarëve pa i hequr plotësisht të dënuarve mundësinë për pendim.

Mesazhi i tij vjen pasi Departamenti amerikan i Mbrojtjes njoftoi se ekzekutimi i Nidal Malik Hasan, i dënuar për sulmin në bazën ushtarake Fort Hud në vitin 2009, do të transmetohet drejtpërdrejt.

Hasan, i cili është dënuar për vrasjen e 13 personave dhe plagosjen e 32 të tjerëve, duhet të ekzekutohet me pushkatim më 3 dhjetor.

Edhe pse papa nuk komentoi drejtpërdrejt këtë rast, sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, e vlerësoi ekzekutimin publik të planifikuar si "të papranueshëm".

Papa Françesku në vitin 2018 ndryshoi mësimin zyrtar të Kishës Katolike, duke shpallur dënimin me vdekje të papranueshëm në çdo rrethanë.

Lajme të ngjashme