E mërkurë, 14 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Pentagoni planifikon transmetim të drejtpërdrejtë të dënimit me vdekje me ekzekutim me armë zjarri, Vens thotë: Nuk do ta shoh

10.10.2026, 09:38

Zëvendëspresidenti amerikan, J.D. Vens, shprehu dyshime se Pentagoni do të transmetojë me të vërtetë në kohë reale ekzekutimin e Nidal Malik Hasan, i dënuar për sulmin në bazën ushtarake Fort Hud, i cili është planifikuar për dhjetor. Vens deklaroi se personalisht nuk do ta shohë transmetimin nëse realizohet, shkruan Associated Press (AP).

"Nuk e di nëse kjo do të ndodhë me të vërtetë", u përgjigj Vens në një pyetje të gazetarëve për planet që Pentagoni i konfirmoi më parë këtë javë.

Ai theksoi se, pavarësisht polemikave rreth mënyrës së ekzekutimit, nuk duhet të harrohen krimet e Hasanit, i cili në një sulm të armatosur në bazën ushtarake në vitin 2009 vrau 13 dhe plagosi 32 persona.

"Shpresoj që njerëzit të mos harrojnë se ky është një njeri që vrau brutalisht shumë njerëz të pafajshëm. Megjithatë, nëse në fund do të ketë transmetim të drejtpërdrejtë, unë nuk do ta shoh", deklaroi Vens.

Presidenti amerikan Donald Trump mbështeti ekzekutimin e Hasanit me armë zjarri, duke vlerësuar se ai e meriton dënimin me vdekje.

Sidoqoftë, ai nuk dha një përgjigje të qartë nëse mbështet transmetimin e drejtpërdrejtë.

"Ai do të ekzekutohet me armë zjarri. Në fakt, nuk më intereson si do të përfundojë, vetëm të ekzekutohet. Mendoj se dënimi me vdekje në rastin e tij është plotësisht i përshtatshëm", tha Trump.

Plani për transmetimin publik të ekzekutimit ka shkaktuar reagime të ashpra. Kryepeshkopi Paul S. Coakley, kryetar i Konferencës së peshkopëve katolikë të SHBA-së, dënoi vendimin e Departamentit të Mbrojtjes, duke e quajtur atë "promovim barbar të kulturës së vdekjes" dhe kërkoi që ai të rishikohet.

Trump miratoi ekzekutimin me armë zjarri disa ditë pas tentativës së dështuar për ekzekutimin e Krista Pike me injeksion vdekjeprurës në fund të muajit të kaluar, pas së cilës guvernatori i Tenesit pezulloi të gjitha ekzekutimet e mbetura në shtet deri në fund të vitit.

Sipas sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, ushtria nuk ka kryer ekzekutim me armë zjarri që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ekzekutimi i fundit ushtarak në SHBA u krye më 13 prill 1961, kur ushtari John Bennett u var.

Lajme të ngjashme