Hegset: Ekzekutimi me pushkatim i ish-majorit do të transmetohet drejtpërdrejt

Ekzekutimi i ish-majorit të ushtrisë amerikane, Nidal Hasan, i dënuar për vrasjen e 13 ushtarëve të paarmatosur në Fort Hood në vitin 2009, do të transmetohet drejtpërdrejt, deklaroi sekretari amerikan i mbrojtjes, Pete Hegseth. Një përfaqësues i Ministrisë së Mbrojtjes konfirmoi se Hasan do të ekzekutohet me skuadrën e pushkatimit. Kjo do të jetë ekzekutimi i parë publik në SHBA pas gati një shekulli, transmeton BBC.
"Ne do t'u mundësojmë njerëzve ta shohin, ta bëjmë publike", tha Hegseth. "Njerëzit duhet të kuptojnë se veprime të tilla sjellin pasoja serioze."
Në një intervistë për kanalin konservator "Real America’s Voice", ai deklaroi se Hasan do të përballet me skuadrën e pushkatimit të përbërë nga ushtarë, duke shtuar: "Kështu duhet të jetë".
Kur u pyet nëse Hasan kishte ndonjë dëshirë të fundit apo kishte bërë ankesë te presidenti Donald Trump, Hegseth u përgjigj: "Nuk më intereson. Na shohim më 3 dhjetor".
Më vonë, Hegseth në një postim në platformën X konfirmoi se ekzekutimi i parë ushtarak amerikan pas gati 100 vjetësh do të mund të ndiqet drejtpërdrejt online.
Ekzekutimi është caktuar për 3 dhjetor në Fort Hood, Teksas – datë e konfirmuar nga sekretari i ushtrisë amerikane. Pentagoni më parë këtë javë njoftoi se do të kryejë ekzekutimin e Hasanit. Kjo do të jetë ekzekutimi i parë ushtarak pas më shumë se 60 vjetësh dhe i pari me skuadrën e pushkatimit pas Luftës së Dytë Botërore.
John Mills, avokat që përfaqëson të dënuarit me vdekje, thotë se vendimi për transmetimin e ngjarjes drejtpërdrejt është i paprecedent në epokën moderne dhe bazohet në baza ligjore të paqëndrueshme. Mills thekson se procesi i ankesës së Hasanit ende nuk ka përfunduar. Ai mendon se Hasan ndoshta do të kërkojë rishikim të dënimit në një gjykatë federale, gjë që mund të shtyjë ekzekutimin e dënimit me vdekje.
Për këtë arsye, ai do të ishte i befasuar nëse ekzekutimi do të ndodhte vërtet. "Përpjekja për transmetim drejtpërdrejt dhe përdorimi i skuadrës së pushkatimit është vetëm një përpjekje për të tërhequr vëmendjen e administratës Trump. Është pak e mundur që kjo të ndodhë, dhe edhe më pak e mundur që të sjellë ndonjë drejtësi", shtoi Mills.
Eugene R. Fidell, ligjërues i ftuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin Yale, për BBC tha se bëhet fjalë për një "vendim me të vërtetë të pafat".
"Transmetimi i ekzekutimit të dënimit me vdekje drejtpërdrejt i përket epokës mesjetare. Si shoqëri, ne e kemi tejkaluar këtë – ose të paktën kështu mendoja deri sot", tha Fidell. Ai shtoi se, në rast të një procesi gjyqësor, procesi mund të zvarritet për vite dhe të zgjasë shumë më gjatë se mandati i Trump në Shtëpinë e Bardhë.
"Edhe pse disa shtete federale kërkojnë një nivel të caktuar mbikëqyrjeje publike gjatë ekzekutimit të dënimeve me vdekje – si prania e gazetarëve ose dëshmitarëve të zgjedhur nga i dënuari – kurrë nuk ka pasur transmetim drejtpërdrejt", thotë Deborah Denno, profesoreshë e së drejtës në Universitetin Fordham. Ajo mendon se transmetimi drejtpërdrejt do të sillte një nivel transparence të paprecedentë në SHBA.



