Guvernatori i Bankës së Anglisë dhe përfaqësues financiarë evropianë kanë braktisur mbledhjen e FMN-së në shenjë proteste për shkak të pjesëmarrjes së Rusisë

Guvernatori i Bankës së Anglisë, Endru Bejli, iu bashkua një grupi përfaqësuesish financiarë evropianë që braktisën mbledhjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Bangkok në shenjë proteste për shkak të pjesëmarrjes së Rusisë, raportoi britaniku "Guardian".
Përfaqësues nga Franca, Gjermania dhe disa vende skandinave dhe balltike dolën nga salla kur ministri rus i financave Anton Siluanov filloi t'u drejtohej pjesëmarrësve në gjuhën ruse. Pjesëmarrjen e Bejlit në protestë e konfirmoi Banka e Anglisë.
Kryetari i bankës qendrore gjermane Bundesbank, Joakim Nagel, deklaroi se në braktisjen e përbashkët të mbledhjes morën pjesë pothuajse gjysma e delegatëve.
"Lufta në Ukrainë është një çështje ekzistenciale për ne në Evropë. Nuk mund të normalizojmë marrëdhëniet me Rusinë", tha një diplomat evropian për Reuters.
Arritje marrëveshjeje për një deklaratë të përbashkët
Kryetari i Bordit Drejtues të FMN-së, ministri saudit i financave Muhamed el Xhadan, konfirmoi se një pjesë e pjesëmarrësve braktisën mbledhjen, por theksoi se megjithatë u arrit një marrëveshje për një deklaratë të përbashkët.
"Erdhëm këtu me një qëllim dhe e arritëm atë. Shikoni deklaratën e kryetarit – në të shkruhet qartë se të gjitha anëtaret ranë dakord me tekstin. Kjo është ajo që ka rëndësi", tha el Xhadan.
Pjesëmarrja e Rusisë në tubimet ndërkombëtare financiare më parë ka shkaktuar pakënaqësi tek përfaqësuesit evropianë. Megjithatë, SHBA-ja ka mbështetur praninë e delegacionit rus. Përfaqësuesja e Ministrisë amerikane të Financave, Erin Braun, tha për Reuters se Uashingtoni mbështet pjesëmarrjen e Moskës.
Paralajmërim për rreziqet ndaj ekonomisë botërore
Pjesëmarrësit në tubimin në Bangkok diskutuan edhe për rezistencën e ekonomisë botërore në kushtet e luftës në Ukrainë dhe shqetësimet në rajonin e Ngushticës së Hormuzit për shkak të fushatës ushtarake amerikane.
El Xhadan paralajmëroi se nuk ka hapësirë për relaksim, duke pasur parasysh borxhin e lartë publik dhe rritjen e normave të interesit në tregun e obligacioneve.
Në deklaratën pas takimit ai theksoi se ekonomia botërore po përballet me një sërë krizash më mirë se sa pritej, por rezervat për të zbutur goditjet e reja janë zvogëluar.
Ai shtoi se eskalimi i konflikteve dhe tensioneve tregtare mund të dëmtojë më tej rrugët kryesore tregtare, të rrisë presionin mbi çmimet e mallrave dhe të përkeqësojë sigurinë e furnizimit me energji dhe ushqim.



