Avokati i Popullit do të jetë i disponueshëm për raportimin e shkeljeve të së drejtës së votimit në Brvenicë

Zyra rajonale e Avokatit të Popullit në Tetovë nesër, në ditën e zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Komunës së Brvenicës, do të jetë e hapur nga ora 7 deri në 19. Qytetarët do të mund të raportojnë çdo shkelje të së drejtës së tyre të votimit.
Raportimet mund të dorëzohen personalisht në zyrë ose në numrin telefonik 044 344-082.
"Avokati i Popullit do të mbrojë të drejtat e qytetarëve duke ndërmarrë masa urgjente për veprim efektiv të organeve kompetente në procesin zgjedhor, si dhe të institucioneve të tjera që janë të detyruara të sigurojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre të garantuara", thuhet në njoftim.
Institucioni kujton se e drejta e votimit është e garantuar kushtetueshëm si e barabartë, e përgjithshme dhe e drejtpërdrejtë dhe realizohet në zgjedhje të lira me votim të fshehtë.
"Askush nuk duhet të thirret në përgjegjësi për ushtrimin e kësaj të drejte, prandaj nuk është rastësi që shkelja e lirisë së përcaktimit të zgjedhësve si dhe shkeljet e tjera të së drejtës së votimit janë vepra penale", thonë nga Avokati i Popullit.



