E diel, 25 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

(Foto+video) Lista studentore shpalli fitore në Serbi

Lista studentore „Studentët fitojnë“ shpalli fitore në zgjedhjet parlamentare të parakohshme në Serbi. Sipas projeksioneve paraprake të CeSID dhe Ipsos, bazuar në 56 përqind të mostrës së përpunuar, lista studentore ka fituar rreth 52 përqind të votave dhe mund të marrë 138 mandate deputetësh, ndërsa pritet që lista e Aleksandar Vuçiçit të marrë rreth 104 mandate.

Këto janë vlerësime paraprake dhe jo rezultate përfundimtare zyrtare. Në selinë zgjedhore të listës studentore filloi festimi, ndërsa përfaqësuesit e saj thanë se rezultati zgjedhor shënon fillimin e një kapitulli të ri për Serbinë.

„E dashur Serbi, sonte dëgjohet zëri i popullit, sonte dëgjohet zëri i lirisë. Qytetarët e Serbisë treguan se asnjë pengesë nuk është më e madhe se vullneti i tyre, asnjë frikë nuk është më e fortë se guximi i tyre dhe se asnjë forcë nuk mund të mbizotërojë përgjithmonë popullin që vendosi të marrë fatin në duart e veta“, thanë përfaqësuesit e listës studentore.

X (Twitter)

Lista studentore "Studenti pobeđuju" @studentblokade ka fituar në zgjedhjet parlamentare. https://t.co/p8d59z8gk1

— N1 Beograd (@n1srbija) 25 tetor 2026

Shiko në X

Thirrje për festim paqësor dhe dinjitoz

Studentët i ftuan qytetarët që fitore ta festojnë në mënyrë paqësore dhe dinjitoze, pa përplasje dhe dhunë, duke paralajmëruar që të mos bien pre e provokimeve.

„Përgjigjja jonë ndaj çdo provokimi le të jetë dinjiteti, ndaj çdo fyerjeje – paqja, dhe ndaj çdo përpjekjeje për të na ndarë – solidaritet edhe më i fortë“, thanë ata.

Theksuan se nuk duan që festa të kthehet në dhunë dhe se nuk luftuan për muaj me radhë për të humbur vlerat që i konsiderojnë avantazhet e tyre më të mëdha – besimin në drejtësi, solidaritet dhe paqë.

„Sonte festojmë me këngë, valle, përqafime dhe lot gëzimi. Festojmë së bashku sepse kjo fitore është e përbashkët. Festojmë pa urrejtje, sepse liria që duam duhet të jetë liri për të gjithë“, thanë përfaqësuesit e listës.

„Nga nesër fillon punë serioze dhe e vështirë“

Studentët vlerësuan se rezultati zgjedhor është fillim i ndryshimeve të mëdha dhe thanë se i pret punë serioze për ndërtimin e Serbisë ku ligjet do të vlejnë njësoj për të gjithë, dijenia do të respektohet, dhe të rinjtë do të shohin të ardhmen e tyre.

„Nuk premtojmë që gjithçka do të jetë e lehtë. Premtojmë se nuk do të harrojmë pse filluam, nuk do të harrojmë njerëzit që na dhanë besimin, as vlerat për të cilat luftuam“, thanë ata.

Shtuan se pushtetin nuk e shohin si privilegj, por si përgjegjësi ndaj popullit.

„Studentët fituan. Dhe me ta fitoi edhe shpresa që Serbia mund të jetë një vend i drejtësisë, lirisë dhe dinjitetit“, theksuan përfaqësuesit e listës.

Thanë se duan të ndërtojnë një shoqëri ku dallimet politike nuk do të jenë shkak për ndarje dhe ku secili do të ketë të drejtë për zë, të vërtetë dhe të ardhme.

Fjalimin e përfunduan me falënderime për qytetarët për besimin dhe mbështetjen, pas së cilës në selinë zgjedhore vazhdoi festa me muzikë dhe thirrje „Fitore“.

Lajme të ngjashme