Franca do të vendosë 70,000 policë në rrugë për shkak të frikës nga trazirat e reja

Franca do të vendosë 70,000 forca sigurie të shtunën, më 31 tetor, në të gjithë vendin për shkak të frikës nga protesta të dhunshme. Ministri i Brendshëm Laurent Nuñez paralajmëroi se "Nata e Halloween-it" do të jetë me "rrezik shumë të lartë" për rendin dhe qetësinë publike.
Nuñez deklaroi sot se shumë grupe radikale po thërrasin për tubime të dhunshme të shtunën përmes mediave sociale. Ai njoftoi se përgjigjja nga policia dhe forcat e tjera të sigurisë do të jetë jashtëzakonisht e fortë.
"Po shohim shumë thirrje për tubime nga lëvizja punëtore, e majta ekstreme e radikalizuar dhe disa faqe radikalizuese të lëvizjes 'jelekët e verdhë', tha Nuñez.
Ai shtoi se disa nga mesazhet në këto thirrje ishin "mjaft radikale, për të thënë pak". "31 tetori është një ditë që paraqet rrezik shumë të lartë për rendin dhe qetësinë publike", paralajmëroi ministri francez. Sipas të dhënave nga Ministria franceze e Brendshme, rreth 410,000 njerëz morën pjesë në protestat të shtunën e kaluar.
Rendin e ruanin 70,000 anëtarë të forcave të sigurisë, të cilët u përpoqën të parandalojnë përsëritjen e trazirave të dhunshme, vandalizmit dhe vjedhjeve të parë më 17 tetor. Liderët sindikalë dhe studentët kanë thirrur për protesta të reja të shtunën, më 31 tetor, dhe për grevë kombëtare më 5 nëntor.



