Gruaja e Aleksandar Vuçiq pas humbjes në zgjedhje: Mbyllet një kapitull i jetës sime

Tamara Vuçiq, gruaja e Aleksandar Vuçiq, u shpreh në Instagram pas humbjes së tij në zgjedhje. Një ditë pas zgjedhjeve të mbajtura më 25 tetor, ku fitoi lëvizja studentore, ajo publikoi një mesazh të gjatë ku u ndal në vitet e kaluara si zonja e parë e Serbisë.
Ajo publikoi 16 fotografi nga angazhimet zyrtare, aktivitetet humanitare dhe takimet me fëmijë.
„Një kapitull i jetës sime po mbyllet dhe dua t’u falënderoj të gjithëve ju që më keni inkurajuar, mbështetur dhe motivuar gjatë këtyre viteve – dhe vazhdoni ta bëni këtë edhe tani. Jam e sigurt që ndaj vlera të njëjta ose të ngjashme me të gjithë ju; në fund të fundit, si do të njiheshim ndryshe me njëri-tjetrin?“ shkroi ajo.
Tamara gjithashtu pranoi se gjatë viteve nuk ka qenë gjithmonë e lehtë, veçanërisht në situata kur nuk mundi t’u ndihmojë njerëzve që kishin nevojë për ndihmë.
„Ka diçka që nuk ju kam thënë kurrë, dhe tani ndjej nevojën ta ndaj. Kishte net pa gjumë – jo për shkak të barrës së përgjegjësive të mia, por për shkak të atyre momenteve kur, pavarësisht dëshirave dhe përpjekjeve të mia, nuk mund t’i ndihmoja dikujt që kishte nevojë për këtë“, shkroi ajo.
Nga gjithçka që ka bërë, ajo veçoi Institutin për zhvillim të hershëm të fëmijës dhe inkluzion në Beograd, të cilin e konsideron si një nga sukseset e saj më të mëdha.
Instituti filloi punën në shtator të këtij viti dhe është i dedikuar për diagnostikimin dhe rehabilitimin e fëmijëve me vështirësi zhvillimore. Zgjas në pothuajse 18 mijë metra katrorë dhe është i pajisur me pajisje moderne mjekësore. „Jam veçanërisht krenare për Institutin për zhvillim të hershëm të fëmijës dhe inkluzion. Besoj se kuptimi i tij i vërtetë do të njihet nga brezat e ardhshëm. Jam pafundësisht mirënjohëse për mundësinë që t’i shërbej besnikërisht dhe me përkushtim vendit dhe popullit tim. Zoti i bekoftë, si popull dhe si vend. Amin“, përfundoi Tamara Vuçiq.
Tamara Vuçiq ka lindur në vitin 1981 në Beograd, dhe është rritur në Loznicë. Para se të bëhej zonja e parë e Serbisë, ka punuar si gazetare televizive, dhe më pas është punësuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë.
Ajo u martua me Aleksandar Vuçiq në dhjetor 2013, dhe në qershor 2017 lindi djali i tyre Vukan.
Kjo është martesa e dytë e Aleksandar Vuçiq. Nga viti 1997 deri në 2011 ai ishte i martuar me gazetaren Ksenija Vuçiq, e cila vdiq në vitin 2022. Me të ka dy fëmijë, djalin Danilo dhe vajzën Milica.
Në fillim të mandatit presidencial të Vuçiq, Tamara rrallë shfaqej në publik, por vitet e fundit po merr pjesë gjithnjë e më shpesh në ngjarje zyrtare dhe aktivitete humanitare.
Të kujtojmë, në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi, lista studentore „Studentët fitojnë“ („Studenti Pobeđuje“) fitoi me 51.71 për qind të votave, ndërsa lista e Aleksandar Vuçiq, „Serbia e Bashkuar“, mori 39.58 për qind.
Në fjalimin e tij për publikun, Vuçiq pranoi humbjen. Për humbjen ai fajësoi mediat dhe „shtetin e thellë amerikan“.



