E enjte, 5 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Liderja e AfD-së: Trump e shkelu premtimin

Nënkryetarja e partisë gjermane Alternativa për Gjermaninë (AfD), Alisa Vajdel, vlerësoi se humbja e thellë e republikanëve në zgjedhjet për Kongresin e SHBA-së është pasojë e luftës në Iran dhe premtimeve të pambajtura të presidentit amerikan, Donald Trump.

Në një intervistë për portalin gjerman "T-online", Vajdel deklaroi se është normale që partia në pushtet të humbasë mbështetje në zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA, por se rezultati i këtij viti është veçanërisht mbresëlënës.

"Shkalla e humbjes së republikanëve është e rëndësishme dhe shpjegohet më së miri me pasojat serioze të luftës në Iran", tha Vajdel.

Ajo kujtoi se Trump në fushatat presidenciale të viteve 2016, 2020 dhe 2024 ka premtuar disa herë se nuk do të ndjekë një politikë të ndërhyrjes së jashtme.

"Trump i premtoi votuesve të tij se nuk do të ndjekë një politikë të ndërhyrjes së jashtme. Ky premtim i shkelur tani u kthye si bumerang për republikanët", theksoi Vajdel.

Për humbjen zgjedhore u prononcua edhe presidenti amerikan Donald Trump, i cili pjesërisht u pajtua me vlerësimin e zëvendëspresidentit Xhej Di Vens se lufta në Iran ka kontribuar në humbjen e shumicës republikane në Kongres.

"Mendoj se kjo është në masë të madhe e saktë, sepse lufta afatshkurtër rriti pak çmimet e benzinës", tha Trump.

Sidoqoftë, ai theksoi se nuk pendohet për vendimin për fillimin e luftës.

"Nëse do të duhej ta merrja përsëri atë vendim, do ta bëja të njëjtën gjë, sepse kjo është zgjidhja e vetme afatgjatë. Nuk mund të lejoni që Irani të ketë armë bërthamore", tha Trump.

Presidenti amerikan hodhi poshtë edhe mundësinë e shkarkimit të ministrit të Mbrojtjes Pit Hegset, i cili ka pasur një rol kyç në operacionet ushtarake amerikane kundër Iranit.

"Mendoj se po bën një punë shumë të mirë", u përgjigj Trump në pyetjen e gazetarëve nëse po mendon për shkarkimin e tij.

Lajme të ngjashme