Mask: Çdo fëmijë në Amerikë do të marrë një aksion nga SpaceX-i im

Kompania SpaceX e Elon Musk dhe kompania teknologjike Anthropic – e njohur për punën e saj në fushën e inteligjencës artificiale – njoftuan donacione të mëdha në formë aksionesh nga kompanitë. Kjo vjen në një kohë kur gjigantët teknologjikë përballen me presion të shtuar lidhur me ndikimin potencial të inteligjencës artificiale mbi njerëzimin.
Mask njoftoi se vitin e ardhshëm do t’i dhurojë një aksion nga kompania e tij hapësinore SpaceX, e cila zotëron firmën e inteligjencës artificiale xAI, çdo fëmije në SHBA. Njoftimi i miliarderit vjen pas veprimit të Anthropic, nga ku deklaruan se do të ndajnë pesë për qind të aksioneve të tyre për një fond të dedikuar për financimin e donacioneve për "mirëqenie të përgjithshme".
Anthropic po përgatitet për debutimin në bursë që mund të jetë rekord, ku vlera e kompanisë mund të kalojë një trilion dollarë. Në qershor, SpaceX vendosi rekord për ofertën më të madhe fillestare publike (IPO) në histori, duke mbledhur 85.7 miliardë dollarë.
Këto njoftime vijnë në një kohë kur industria e inteligjencës artificiale është nën mbikëqyrje të shtuar, e nxitur nga shqetësimet për sigurinë dhe frikërat për ndikimin potencial që zhvillimi i inteligjencës artificiale mund të ketë mbi shoqërinë dhe tregun e punës. Ende nuk janë publikuar detaje se si çdo fëmijë në SHBA do të marrë një aksion nga SpaceX.
Mask shkroi në rrjetet sociale: "Vitin e ardhshëm do t’i dhuroj çdo fëmije në Amerikë një nga aksionet e mia në SpaceX. Kjo do të jetë e para nga shumë të tjera".
Ai bëri këtë njoftim pasi reagoi ndaj lajmit nga Anthropic për krijimin e fondit, duke thënë: "Rekomandoj që aksionet t’u shpërndahen drejtpërdrejt qytetarëve. Unë personalisht do ta bëj pikërisht këtë".
Kompania Anthropic njoftoi se aksionet në "Fondin e Mirëqenies Publike" (Public Benefit Fund) nuk do të përdoren për lobim apo donacione politike, as në SHBA dhe as jashtë. Kompania pas inteligjencës artificiale "Claude" gjithashtu deklaroi se bordi i saj i drejtorëve, sipas vullnetit të vet, mund të ndajë dy për qind shtesë të aksioneve për këtë fond, raporton BBC.
Java e kaluar, Anthropic informoi investitorët potencialë se të ardhurat e saj për tremujorin që përfundoi në shtator u rritën me 45 për qind, duke arritur në 16.8 miliardë dollarë.
Si dhe kompanitë e tjera në sektorin e inteligjencës artificiale, Anthropic synon të pozicionohet si një firmë në gjendje të gjenerojë fitime të mëdha – edhe pse njëkohësisht investon miliarda dollarë në zhvillimin e teknologjisë dhe ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për funksionimin e modeleve të saj.



