E hënë, 19 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Nënshkruhet Plani i bashkëpunimit mes ministrive të shëndetësisë së Maqedonisë dhe Bullgarisë

19.10.2026, 13:32

Ministri i Shëndetësisë, Sašo Klekovski, dhe ministrja e Shëndetësisë së Republikës së Bullgarisë, Katja Ivkova, sot në Sofje nënshkruan Planin e bashkëpunimit mes Ministrive për periudhën 2026–2028.

"Me Planin konfirmohet vendosmëria e të dy vendeve për avancimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë dhe shkencave mjekësore, bazuar në barazi, reciprocitet dhe interes të përbashkët. Plani parashikon shkëmbim informacioni dhe përvojash, shkëmbim specialistësh për trajnime dhe konsultime, pjesëmarrje në ngjarje shkencore dhe mjekësore, realizim të projekteve të përbashkëta shkencore dhe praktike, si dhe bashkëpunim në organizimin e kurseve dhe seminareve", njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

Si fusha prioritare të bashkëpunimit janë përcaktuar kujdesi mjekësor primar dhe i specializuar, kujdesi shëndetësor spitalor, parandalimi dhe kontrolli i sëmundjeve ngjitëse dhe jo-ngjitëse, si dhe mbikëqyrja epidemiologjike, statistika mjekësore, organizimi i përgjigjes shëndetësore në situata emergjente, shëndetësia elektronike, si dhe fusha të tjera me interes të përbashkët.

Gjatë vizitës në Sofje, ministri Klekovski vizitoi edhe Kompleksin Universitar Spitalor Obstetrik-Gjinekologjik "Majčin dom", ku u njoh me punën e institucionit dhe praktikat moderne në fushën e shëndetit të nënës dhe fëmijës, veçanërisht në pjesën e neonatologjisë dhe kujdesit për të porsalindurit.

Gjatë bisedave me ekipet mjekësore u shkëmbyen përvoja dhe mundësi për përmirësimin e bashkëpunimit, me theks të veçantë në skriningun neonatal dhe zbulimin e hershëm të gjendjeve tek të porsalindurit.

"Majčin dom" ka klinikën më të madhe të neonatologjisë në Bullgari, me një repart të kujdesit intensiv dhe pajisje moderne mjekësore, ndërsa Laboratori Kombëtar Gjenetik brenda institucionit kryen skriningun e të porsalindurve, përfshirë teste metabolike dhe gjenetike.

"Nënshkrimi i Planit të bashkëpunimit përbën një hap shtesë në forcimin e marrëdhënieve fqinjësore dhe bashkëpunimit institucional mes dy vendeve, me qëllim shkëmbimin e njohurive dhe praktikave të mira dhe përmirësimin e cilësisë dhe aksesit të shërbimeve shëndetësore për qytetarët", thonë nga Ministria.

Lajme të ngjashme