E shtunë, 17 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Moldavia dënon Rusinë pas hyrjes së pesë dronëve në hapësirën e saj ajrore

17.10.2026, 07:44

Moldavia dënoi Rusinë pasi pesë dronë hynë në hapësirën e saj ajrore në një periudhë pak më shumë se 17 orë, gjatë të enjtes dhe të premtes. Sipas autoriteteve moldave, bëhet fjalë për dronë rusë, të cilët janë rrëzuar në pjesë të ndryshme të vendit, ku një person u lëndua lehtë, ndërsa shkaktuan edhe dëme materiale të vogla.

Ministria e Punëve të Jashtme e Moldavisë vlerëson se incidentet përbëjnë kërcënim për sigurinë e qytetarëve dhe janë pasojë direkte e luftës ruse kundër Ukrainës.

"Këto incidente përbëjnë kërcënim për sigurinë e qytetarëve dhe tregojnë pasojat direkte të luftës agresive ruse kundër Ukrainës mbi stabilitetin rajonal", thuhet në deklaratën e ministrisë.

Pesë dronët janë rrëzuar kryesisht në pjesët veriore dhe lindore të vendit. Ky nuk është incidenti i parë i këtij lloji në periudhën e fundit. Javën e kaluar, një dron u rrëzua rreth 35 kilometra nga kryeqyteti Kishinev.

Moldavia kërkon shpjegime nga Moska

Pas incidenteve, Ministria e Punëve të Jashtme e Moldavisë ka thirrur disa herë ambasadorin rus Oleg Ozerov për biseda, duke kërkuar shpjegime për shkeljet e hapësirës ajrore.

Presidentja Maia Sandu kritikon rregullisht politikën e jashtme ruse, duke e vlerësuar atë si të kundërt me interesat e Moldavisë. Ajo refuzon të pranojë letrat kredenciale të ambasadorit rus, edhe pse Ozerov qëndron në vend për më shumë se dy vjet.

Moldavia, e cila kufizohet me Ukrainën, ka dënuar pushtimin rus dhe ka reaguar disa herë ndaj shkeljeve në hapësirën e saj ajrore. Qeveria në Kishinev ndjek një politikë pro-evropiane dhe synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

Në anën tjetër, Rusia akuzon Sandun për politikë armiqësore ndaj Moskës. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, deklaroi të enjten se përmirësimi i marrëdhënieve me Moldavinë është i mundur vetëm nëse qeveria e Sandus heq dorë nga, siç e quajti, "politika e bazuar në rusofobi".

Lajme të ngjashme