Rregulla të reja për bankomatet në Gjermani: do të ketë udhëzime zanore dhe ekrane më të qarta

Bankomatet në Gjermani duhet të bëhen më të aksesueshme për personat me dëmtime të shikimit, qytetarët e moshuar dhe njerëzit me lëvizshmëri të kufizuar, në përputhje me rregulloret ligjore për përmirësimin e aksesueshmërisë. Pajisjet e reja duhet të mundësojnë përdorim më të lehtë dhe më të pavarur, me udhëzime zanore dhe ekrane më të qarta.
Ndryshimet kanë të bëjnë me bankomatet e reja që do të vendosen, dhe qëllimi është që përdoruesit të mund të tërheqin para në mënyrë të sigurt dhe të kryejnë transaksionet bazë pa ndihmën e personave të tjerë.
Udhëzime zanore dhe shkronja më të mëdha
Standardet e reja parashikojnë disa përmirësime që duhet të lehtësojnë përdorimin e bankomateve.
Në mesin e tyre janë udhëzimet zanore dhe sinjalet audio, të cilat do t’u ndihmojnë personave të verbër dhe me shikim të dobët të lëvizin nëpër hapat e transaksionit. Ekranet duhet të kenë shkronja më të mëdha, menu më të qarta dhe mënyrë më të thjeshtë përdorimi.
Parashikohen gjithashtu mundësi për përshtatjen e kontrastit dhe ndriçimit të ekranit, në varësi të kushteve të ndriçimit dhe nevojave të përdoruesve.
Qëllimi i këtyre ndryshimeve është që shërbimet financiare të jenë më të aksesueshme për një rreth më të gjerë qytetarësh dhe të ulen pengesat fizike dhe vizuale gjatë përdorimit të bankomateve.
Bankomatet e vjetra nuk do të zëvendësohen menjëherë
Rregullat e reja nuk do të thonë që bankat duhet menjëherë të tërheqin nga përdorimi të gjitha bankomatet ekzistuese.
Për pajisjet e vjetra është parashikuar një periudhë kalimtare, gjatë së cilës ato do të mund të vazhdojnë të funksionojnë pa detyrimin për të zbatuar të gjitha funksionet e reja. Sipas tekstit të publikuar, periudha kalimtare mund të zgjasë deri në 15 vjet, gjë që do t’u mundësojë bankave të përshtatin gradualisht infrastrukturën.
Ndryshimet do të përfshijnë edhe pajisje të tjera
Rregullat e aksesueshmërisë nuk kanë të bëjnë vetëm me bankomatet. Kërkesa të ngjashme janë parashikuar edhe për pajisje të tjera që përdoren çdo ditë, përfshirë makinat automatike për shitjen e biletave në transportin publik dhe hekurudhor, terminalet e pagesave në dyqane dhe pajisjet për regjistrimin e pavarur të udhëtarëve në aeroportet dhe stacionet hekurudhore.
Për zbatimin e rregullave janë parashikuar mekanizma mbikëqyrjeje, me të cilët duhet të kontrollohet nëse bankat dhe ofruesit e tjerë të shërbimeve i përmbushin kërkesat për aksesueshmëri.



