Një avion në Frankfurt u përpoq të ngrihej në drejtim të gabuar

Javën e kaluar, një avion pasagjerësh i kompanisë ajrore turke "Pegasus Airlines" u përpoq të ngrihej në drejtim të gabuar në aeroportin e Frankfurtit. Kontrolli gjerman i fluturimeve e përshkroi incidentin si jashtëzakonisht të rrallë.
Të martën, një avion i tipit "Airbus A321", i cili duhej të fluturonte për Stamboll, filloi të lëvizte në pistë në drejtim të gabuar. Pilotët e ndërprenë ngritjen në një shpejtësi prej rreth 65 kilometra në orë, konfirmoi dje një zëdhënës i kontrollit gjerman të fluturimeve (DFS).
"Kjo nuk ndodh shpesh, veçanërisht jo në Gjermani", tha zëdhënësi.
Avioni u nis drejt veriut në vend të jugut
Avioni mori leje për ngritje drejt jugut nga pista 18 e aeroportit më të ngarkuar gjerman. Megjithatë, pasi hyri në pistë përmes pikës së parashikuar të hyrjes, ai filloi të lëvizte drejt veriut.
Zëdhënësi i DFS-së deklaroi se kontrollorët e fluturimeve vërejtën menjëherë gabimin dhe urdhëruan pilotët të lirojnë pistën. Ai theksoi se nuk kishte rrezik të menjëhershëm, pasi situata u kontrollua në kohë.
Kontrolli gjerman i fluturimeve raportoi incidentin në Zyrën Federale për Hetimin e Aksidenteve Ajrore (BFU). "Fraport", kompania që menaxhon aeroportin e Frankfurtit, gjithashtu konfirmoi se kishte ndodhur një "incident", por nuk dha detaje shtesë.
Sipas portalit The Aviation Herald, avioni u ngrit pa probleme shtatë minuta më vonë, duke lëvizur në drejtimin e duhur – drejt jugut.



