(Video) Christina Applegate: Mjekët më dhanë diagnozë të gabuar; nuk kam sklerozë të shumëfishtë

Christina Applegate u kthye në podcastin e saj „MeSsy“ me lajme tronditëse. Të martën, Applegate dhe bashkë-prezantuesja e saj Jamie-Lynn Sigler publikuan dy episode të reja në të cilat vazhdojnë të flasin hapur për përvojat e tyre me sklerozën e shumëfishtë.
Por, aktorja 54-vjeçare me lot në sy zbuloi në episodin me të cilin u rikthyen, se ishte tërhequr nga publiku për të përpunuar informacionet e reja që kishte marrë nga mjeku – ajo në fakt nuk ka sklerozë të shumëfishtë, shkruan „People“.
Diagnozë e gabuar
"Ai hyri në dhomën time dhe tha: ‘Urime, nuk ke MS’", rrëfeu Applegate. "Unë nuk isha aspak e lumtur. Të gjithë të tjerët ishin shumë të lumtur."
Në episodin e dytë, aktoret u bashkuan me Dr. Marwa Casey, profesoreshë e asociuar e neurologjisë në Qendrën Mjekësore „Cedars-Sinai“. Ajo shpjegoi se diagnozat e gabuara për sklerozën e shumëfishtë janë mjaft të zakonshme, sepse nuk ekziston një test i vetëm për këtë sëmundje. "Nuk është si testi i shtatzënisë që tregon qartë ‘po’ ose ‘jo’. Ekziston një gamë e tërë kriteresh", tha Casey.
Ajo përmendi se tek gati 20 për qind e njerëzve që u është diagnostikuar MS, rezulton se ata në fakt nuk vuajnë nga kjo sëmundje.
"Afërsisht një në pesë persona që u është thënë se kanë MS – disa madje edhe për dekada – në të vërtetë nuk e kanë pasur sëmundjen. Shumica prej tyre kanë marrë medikamente për trajtimin e sëmundjes."
„U riktheva në fillim“
Applegate theksoi se njohja e diagnozës së gabuar nuk i solli asnjë lehtësim nga simptomat e rënda. "Nuk bëhet papritmas më mirë vetëm sepse diagnoza ishte e gabuar", tha ajo. "Nuk jam më mirë, Jamie! Përkundrazi, gjendja ime po përkeqësohet. Kështu që u riktheva në fillim dhe nuk di çfarë po më ndodh. Mjekët e mi tani po fillojnë një hetim të thellë për të zbuluar se çfarë ka ndodhur saktësisht që nga viti 2021 dhe pse ndodhi kjo."
Në pjesën e dytë të podcastit, ajo u emocionua përsëri. "Kam kaluar një depresion të rëndë për shkak të gjithçkaje që ndodhi. Humbta gjithçka. Humbta punën. Humbta... më falni. Çfarë t’i thuash dikujt që ka jetuar me këtë për gjashtë vjet – Zot, më vjen shumë keq – sepse kjo më ndaloi jetën? Ende duhet të përdor karrocën e invalidit kur shkoj te mjeku. Nuk mund të ecë nga makina deri në ordinancë. Ende jam në atë situatë. Nuk ndodhi asgjë magjike kur ajo tha: ‘Nuk ke MS’. Asgjë."
Humbja e identitetit
Aktorja pranoi se tani po vuan për të gjetur vendin e saj, veçanërisht pasi ka krijuar një komunitet me njerëz që kanë MS. "Është e çuditshme, sepse kam ndjenjën sikur i kam tradhtuar të gjithë", ndau Applegate.
"Është një ndjenjë e çuditshme, sepse u bëmë simbol për MS. Çdo gjë që bëja kishte kuptim. Kisha, për Zotin, një arsye pse çdo ditë ishte e tmerrshme. Dhe tani nuk kam arsye, dhe kjo është vërtet shqetësuese dhe konfuze."
Applegate deklaroi se ende është në shok për shkak të diagnozës së gabuar dhe përshkroi gjithë situatën si një kaos të plotë për psikikën. Ajo tani e sheh luftën e saj shëndetësore si „e njëjta lojë, vetëm me emër tjetër“.






