SHBA nën udhëheqjen e Trump anuluan më shumë se 300,000 viza

SHBA anuluan më shumë se 300,000 viza pasi Donald Trump u rikthye në detyrë, konfirmoi dje një përfaqësuese e lartë e Departamentit të Shtetit.
Mora Namdar, ndihmëse sekretare shteti për çështjet konsullore, njoftoi në rrjetin social X:
„Janë anuluar më shumë se 300,000 viza, dhe ky numër vazhdon të rritet. Mesazhi për mbajtësit e vizave është i thjeshtë: respektoni ligjet tona, përndryshe do të humbisni privilegjin për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës“.
„Nën udhëheqjen e presidentit Trump dhe sekretarit të shtetit Rubio, mbrojtja e vendit tonë dhe e popullit amerikan është prioriteti ynë kryesor – sot dhe çdo ditë“, shtoi Namdar.
Në postimin e saj ishte përfshirë edhe një mesazh nga Shtëpia e Bardhë ku thuhej se „administrata e Trump ka anuluar më shumë viza, dhe më shpejt, se çdo administratë tjetër në histori“.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, në platformën X sqaroi se anulimi i vizave i përket shtetasve të huaj të përfshirë në aktivitete të paligjshme ose që paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare.
„Ne kemi tolerancë zero ndaj shtetasve të huaj që qëndrojnë këtu me viza dhe shkelin ligjet, kryejnë mashtrime ose rrezikojnë sigurinë tonë kombëtare“, tha ai.



