Trump pranon se përdor make-up: „Vendos shumë pak dhe e bëj vetë“

Presidenti amerikan Donald Trump pranoi se përdor make-up, por theksoi se e vendos në sasi të vogla dhe se e bën vetë, transmetoi sot "Fox News".
Trump e tha këtë mbrëmë në një miting parazgjedhor në Dalton, në shtetin federativ të Xhorxhisë, ndërsa tallte senatorin demokrat Jon Ossoff, duke pretenduar se ai shpenzon shumë më tepër para për make-up.
"Ossoff ka shpenzuar më shumë para për make-up, ndërsa unë, për rastësi, vendos shumë pak dhe e bëj vetë", i tha Trump mbështetësve të tij, duke demonstruar me duar se si e vendos make-up-in.
Presidenti amerikan po ashtu pretendoi se senatori ka një grimier që është gjithmonë me të dhe se për këtë shpenzon pasuri, por nuk solli prova për pretendimet e tij.
Trump më pas shpjegoi pse përdor një sasi të vogël make-up, duke thënë se me vendosje të tepërt fytyra mund të duket si e një të vdekuri.
Gjatë vizitës në Xhorxhi, Trump shprehu mbështetjen për kandidatin republikan Mike Collins, i cili në zgjedhjet e mesmandatshme garon me Ossoff për një vend në Senatin e SHBA-së.



