Numër rekord i njerëzve të përjashtuar nga Partia Komuniste në Kinë

Partia Komuniste e Kinës përjashtoi një numër rekord funksionarësh pas përfundimit të një takimi kyç politik; shkalla e pastrimeve të kryera nga Xi Jinping shihet përmes numrit të pazakontë të karrigeve bosh në sallë, raporton "Guardian". Në plenumën e pestë këtë javë – një mbledhje vjetore e funksionarëve të lartë – u përjashtuan 33 anëtarë, që është numri më i madh deri më tani.
Në plenum morën pjesë vetëm 279 nga gjithsej 376 anëtarë të rregullt dhe zëvendës-anëtarë të Komitetit Qendror, të emëruar në vitin 2022. Kjo do të thotë se mungonte më shumë se një e katërta e anëtarësisë, ku shumë prej tyre u larguan gjatë pastrimeve. Kjo përfaqëson numrin më të madh të anëtarëve të munguar në një plenum në historinë moderne kineze.
Është konfirmuar përjashtimi i Zhang Yuxia – i cili më parë ishte funksionari i dytë më i lartë në hierarkinë ushtarake – dhe Ma Xingrui, sekretari i mëparshëm partiak për Xinjiang. Arsyet për mungesën e të tjerëve nuk janë shpjeguar zyrtarisht.
"Numri i madh i mungesave tregon se plenumi ishte i fokusuar në vizionin e Xi për disiplinën e rreptë brenda partisë", shkroi në platformën "X", Neil Thomas, bashkëpunëtor në organizatën Asia Society.
Menaxhimi partiak ishte tema kryesore e plenumit. Që nga ardhja në pushtet në vitin 2012, Xi është përqendruar në zhdukjen e korrupsionit brenda partisë. Në vitet e fundit, kjo fushatë është intensifikuar dhe është zgjeruar deri në nivelet më të larta të partisë dhe ushtrisë, duke ngritur pyetjen nëse ajo shërben si një mjet për eliminimin e rivalëve politikë dhe për ndëshkimin e pabesisë.



