E enjte, 15 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Parisi investon 200 milionë euro në infrastrukturën e biçikletave

15.10.2026, 08:59

Parisi planifikon të investojë 200 milionë euro deri në vitin 2032 në zgjerimin e infrastrukturës së biçikletave dhe përmirësimin e sigurisë në kryqëzimet e rrezikshme, njoftoi zëvendës-kryetari i kryeqytetit francez.

Parisi prej vitesh po riorganizon rrugët e tij për të siguruar më shumë hapësirë për këmbësorët dhe biçiklistët, transmeton agjencia DPA. Qëllimi i planit të ri për biçikletat është krijimi i rrugëve të sigurta dhe të lidhura në të gjithë qytetin, deklaroi të mërkurën zëvendës-kryetari Emmanuel Grégoire.

Qindra kilometra pista biçikletash
Parisi prej kohësh promovon veten si "kryeqyteti i biçikletave" dhe tashmë disponon me 454 kilometra pista biçikletash. Përdorimi i biçikletave në kryeqytetin francez është rritur me 47 për qind që nga viti 2020. Sipas të dhënave të autoriteteve komunale, një në dhjetë banorë tani udhëton me biçikletë për në punë, në krahasim me vetëm 4.8 për qind në vitin 2017.

Sipas planit të ri, Parisi synon të ndërtojë 140 kilometra shtesë pista biçikletash dhe të riorganizojë 220 kilometra rrugë me një sens, duke i lejuar biçiklistëve të lëvizin në të dy drejtimet. Më tej, 420 kryqëzime do të ridizenjohen për të rritur sigurinë e biçiklistëve, njofton DPA.

Qyteti gjithashtu planifikon të vendosë më shumë oficerë policie që do të mbikëqyrin trafikun dhe do të kujdesen për respektimin e rregullave të dedikuara për mbrojtjen e biçiklistëve dhe këmbësorëve.

Të dhënat statistikore tregojnë se automjetet kanë qenë të përfshira në rreth gjysmën e të gjitha aksidenteve rrugore në Paris ku kanë qenë të përfshirë biçiklistët.

Lajme të ngjashme