Mezhiti: Pishina e re në shkollën „7 Mars“, investim prej rreth 1 milion euro për fëmijët e Çairit

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mezhiti, vizitoi shkollën fillore „7 Mars“, ku ndoqi nga afër përparimin e punimeve ndërtimore për ndërtimin e pishinës së re shkollore, një investim me vlerë rreth 1 milion euro, i dedikuar për zhvillimin sportiv dhe krijimin e mundësive të reja për fëmijët e Çairit.
Gjatë vizitës, Mezhiti informoi se punimet po zhvillohen sipas dinamikës së parashikuar dhe se projekti po hyn në fazën përfundimtare, ndërsa hapja e pishinës pritet së shpejti. Ky investim ka për qëllim t’u sigurojë nxënësve kushte moderne për të mësuar notin, zhvillimin e talenteve sportive dhe pjesëmarrjen në aktivitete që nxisin shëndetin dhe zhvillimin fizik.
„Premtimet po i realizojmë një nga një. Sot vizitova shkollën „7 Mars“ për të ndjekur nga afër punimet e pishinës së re, të cilat po zhvillohen sipas planit. Ky projekt e premtuam gjatë fushatës zgjedhore, e përfshimë në programin tonë dhe sot po e bëjmë realitet. Me një investim prej rreth 1 milion euro krijojmë kushte që fëmijët tanë të mësojnë të notojnë, të zhvillojnë talentet e tyre dhe të rriten me sportin. Besimin që na dhanë qytetarët e kthejmë në punë konkrete dhe investime“, deklaroi Mezhiti.
Pishina e re në shkollën „7 Mars“ është pjesë e investimeve në infrastrukturën arsimore dhe sportive të Komunës së Çairit, me fokus në përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe krijimin e mundësive të barabarta për zhvillimin e tyre.



