Presidenti i Lituanisë: Putini po na afron gjithnjë e më shumë drejt aktivizimit të nenit 5 të NATO-s

Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, paralajmëroi se presidenti rus Vladimir Putin vazhdon me provokime dhe testimin e kufijve të NATO-s, duke rritur sipas tij rrezikun e aktivizimit të nenit 5 për mbrojtje kolektive.
"Nuk mendoj se Rusia aktualisht është e gatshme për operacione ushtarake në shkallë të gjerë. Burimet ruse janë të angazhuara në fushën e betejës në Ukrainë, ku Rusia nuk po arrin sukses", tha Nausėda në një intervistë për gazetën gjermane "Welt".
Sidoqoftë, ai paralajmëroi se Moska vazhdon me sulme hibride, duke përfshirë sulme me dronë, sulme kibernetike dhe ndezje zjarresh, me qëllim testimin e gatishmërisë së anëtarëve të NATO-s për një përgjigje të përbashkët.
"Putini po na teston dhe po na afron gjithnjë e më shumë drejt nenit 5, që është detyrimi i NATO-s për mbrojtje kolektive", tha presidenti lituanez.
Neni 5 i Traktatit të Atlantikut të Veriut parashikon se një sulm i armatosur ndaj një anëtari konsiderohet si sulm ndaj të gjithë anëtarëve të Aleancës.
Nausėda vlerësoi gjithashtu se Rusia nuk do të jetë e gatshme për negociata serioze paqësore për Ukrainën para pranverës së vitit 2027. Sipas tij, Moska do të shfrytëzojë dimrin për të vazhduar sulmet, dhe perspektivat për negociata mund të përmirësohen nëse Ukraina arrin të përballojë periudhën dimërore.



