E premte, 6 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Mucunski-Kasis: bashkëpunimi ekonomik të bëhet një shtyllë edhe më e fortë e marrëdhënieve me Zvicrën dhe të krijojë mundësi konkrete për kompanitë dhe qytetarët

Me ftesë të ministrit të punëve të jashtme dhe tregtisë së jashtme, Timço Mucunski, sot në vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut qëndron ministri i punëve të jashtme të Konfederatës Zvicerane, Ignazio Kasis.

Në fokus të bisedimeve ishte zhvillimi deri tani dhe perspektivat për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes dy vendeve, me theks të veçantë në tregtinë, investimet dhe lidhjen e komuniteteve të biznesit.

"Qëllimi është që bashkëpunimi ekonomik të bëhet një shtyllë edhe më e fortë e marrëdhënieve dhe të krijojë mundësi konkrete për kompanitë dhe qytetarët", theksoi ministri Mucunski.

Vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit zhvillimor, i cili përbën një segment të rëndësishëm të partneritetit bilateral. Mucunski shprehu falënderim për mbështetjen e vazhdueshme që Zvicra i jep vendit që nga viti 1992, si dhe për kontributin e programeve zvicerane në forcimin e institucioneve.

Në bisedime u përfshi edhe kryesimi aktual zviceran i OSBE-së, si dhe situatat e sigurisë në Evropë. Mucunski përshëndeti angazhimin e Zvicrës në kushte të një konteksti të ndërlikuar sigurie dhe konfirmoi mbështetjen për përpjekjet e saj brenda Organizatës.

"Jam i bindur se, nën kryesimin zviceran, OSBE do të vazhdojë të ketë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e besimit, dialogut dhe sigurisë. Në këto përpjekje, Zvicra ka mbështetjen e fortë nga ana jonë", theksoi Mucunski.

Biseduesit u ndalën edhe te integrimi evropian dhe proceset reformuese, ku ministri Mucunski konfirmoi angazhimin strategjik për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian dhe vazhdimin e reformave dhe afrimit me standardet evropiane.

Në takim u shkëmbyen mendime edhe për situatat aktuale gjeopolitike, ku u theksua rëndësia e lidershipit, solidaritetit, unitetit dhe partneriteteve të forta në ruajtjen e paqes dhe prosperitetit të kontinentit evropian.

Lajme të ngjashme