E premte, 6 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Dimitrovski: Integrimi evropian nuk duhet të jetë peng i mosmarrëveshjeve bilaterale

Shtetet anëtare të BE-së dhe Iniciativa e Evropës Qendrore duhet të tregojnë solidaritet dhe t'u japin dorën vendeve të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës dhe Moldavisë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.

Në Mbledhjen Ministrore të Iniciativës së Evropës Qendrore (CEI), e cila u mbajt sot në Bukuresht, zv.ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Zoran Dimitrovski, theksoi nevojën për përshpejtimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe për më shumë solidaritet dhe mbështetje politike për vendet kandidate nga Ballkani Perëndimor, si dhe për Ukrainën dhe Moldavinë.

Dimitrovski theksoi se integrimi evropian duhet të mbetet një prioritet strategjik i besueshëm dhe se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar fuqishëm ndaj anëtarësimit në BE, zbatimit të reformave evropiane dhe përshtatjes së plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit.

Duke iu referuar përvojave të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, ai kujtoi se anëtarësimi i tyre në Bashkimin Evropian, përveç përpjekjeve dhe reformave të tyre, u mundësua edhe me mbështetjen dhe solidaritetin e vendeve anëtare të BE-së, përfshirë edhe anëtarët themelues të Iniciativës së Evropës Qendrore.

"Sot vendet e Ballkanit Perëndimor, së bashku me Ukrainën dhe Moldavinë, janë të përkushtuara për të arritur të njëjtën ambicie evropiane. Por, disa nga vendet kandidate, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, ende përballen me pengesa bilaterale në procesin e anëtarësimit, përfshirë pengesa që burojnë nga vende anëtare të vetë Bashkimit Evropian, përfshirë edhe anëtarë të CEI-së", theksoi Dimitrovski.

Ai u shpreh se fryma e solidaritetit, fqinjësisë së mirë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, që kontribuoi në suksesin e integrimit evropian të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, duhet të jetë udhërrëfyes edhe në marrëdhëniet e sotme me vendet kandidate.

"Presim që partnerët tanë nga Iniciativa e Evropës Qendrore të na japin dorën, të tregojnë vullnet politik dhe të mbështesin përpjekjet tona për tejkalimin e pengesave bilaterale. Integrimi evropian nuk duhet të jetë peng i mosmarrëveshjeve bilaterale. Kjo nuk është vetëm një çështje solidariteti me vendet kandidate, por edhe një investim në stabilitetin, sigurinë dhe të ardhmen e tërë kontinentit evropian", tha Dimitrovski.

Në mbledhje u theksua edhe rëndësia e bashkëpunimit rajonal, lidhjes, sigurisë energjetike, tranzicionit të gjelbër dhe dixhital, forcimit të institucioneve demokratike, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Dimitrovski riafirmoi edhe mbështetjen e palëkundur të Maqedonisë së Veriut për Ukrainën, duke theksuar se paqja, integriteti territorial dhe respektimi i së drejtës ndërkombëtare duhet të mbeten parime themelore të sigurisë evropiane.

Në fund, ai theksoi nevojën për një Iniciativë më të fortë, më të dukshme dhe më efikase të Evropës Qendrore, me prioritete të qarta dhe bashkëpunim të zgjeruar me Bashkimin Evropian dhe partnerët rajonalë.

Lajme të ngjashme