E hënë, 2 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Presidenti kinez: Bota është në proces ndryshimesh të thella

Presidenti kinez Xi Jinping në bisedë me sultanin oman Hajtam bin Tarik al-Said deklaroi se Lindja e Mesme dhe Gjiri nuk duhet të bëhen zonë konkurrimi midis fuqive të mëdha. Ai tha se Kina është e gatshme të bashkëpunojë me vendet arabe për të arritur paqe të qëndrueshme, njoftoi Reuters.

Xi i tha sultanit oman se bota është në proces ndryshimesh të thella. „Lindja e Mesme dhe rajoni i Gjirit nuk duhet të bëhen arenë për rivalitet midis fuqive të mëdha dhe konflikte gjeopolitike. Paqja dhe stabiliteti në rajon kërkojnë përpjekje të përbashkëta dhe mbrojtje nga të gjitha palët“, ishte mesazhi i presidentit kinez i publikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Ai shtoi se Kina është vazhdimisht e përkushtuar për ndalimin e luftës dhe shpreson të kontribuojë me „mençuri dhe zgjidhje për adresimin e dilemave të sigurisë në rajon“. Kina, sipas Xi, dëshiron të forcojë komunikimin dhe koordinimin me vendet arabe, përfshirë Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit, për të punuar së bashku në rikthimin e paqes dhe arritjen e stabilitetit dhe sigurisë së qëndrueshme.

Në një deklaratë të përbashkët me 20 pika, Kina dhe Omani ranë dakord se duhet të rikthehet lundrimi normal dhe i sigurt në ngushticën e Hormuzit. Të dy vendet gjithashtu i bënë thirrje SHBA-së dhe Iranit të synojnë zgjidhje paqësore, të kthehen te marrëveshja e qershorit për ndërprerjen e konfliktit dhe të vazhdojnë dialogun.

Ministria kineze e Punëve të Jashtme njoftoi se përfaqësuesi i saj special për Lindjen e Mesme, Zhai Jun, do të vizitojë Iranin, Omanin dhe Arabinë Saudite këtë muaj. Sultani Hajtam mbërriti në Pekin të dielën për një vizitë dyditore, vizita e parë e një kreu shteti nga Omani në Kinë që nga themelimi i marrëdhënieve midis dy vendeve në vitin 1978.

Lajme të ngjashme